DYLON

Haziri falënderon “Plisat” nga Zvicra për grumbullimin e mjeteve për një shtëpi për skamnorë

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Në kuadër të muajit të bashkatdhetarëve dhe nën organizimin e Komunës së Gjilanit, është mbajtur të dielën parada e klubit të motoristëve “Plisat” nga Zvicra, në të cilën ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Lutfi Haziri së bashku me nënkryetarin Rexhep Kadriu dhe bashkëpunëtorët, sikurse edhe presidenti i klubit “Plisat”, Arbër Dalipi dhe dy kandidatët për deputetë në Parlamentin e Zvicrës, Herolinda Avdili Rexhepi e Arbër Bullakaj.

Parada e klubit “Plisat” është realizuar me qëllim humanitar, pasi këta të fundit i janë bashkangjitur aksionit të Komunës së Gjilanit “Pak nga ne, shumë për ata” për ndihmë familjeve skamnore, duke grumbulluar mjetet financiare për ndërtimin e një shtëpie.

EkoHigjiena

“Sot, kjo ditë e madhe në Gjilan do të mbetet në kalendarin e festave dhe në këtë mënyrë mund të jeni mysafirë të veçantë të Komunës së Gjilanit dhe çdo herë do të jeni të mirëpritur. Gurbetçarët tanë gjithmonë kanë qenë në gjendje ta ndihmojnë vendlindjen e tyre dhe po dëshmohet edhe sonte me këtë humanitet të treguar, për çka shpreh mirënjohjen time më të madhe. Ne e kemi shpallur këtë muaj si muajin tuaj dhe muaj të krenarisë së Gjilanit”, tha Haziri.

I pari i gjilanasve ka shprehur zotimin e tij se do të angazhohet maksimalisht që kandidatët shqiptarë për Parlamentin e Zvicrës të bëhen fitues dhe, siç tha ai, të ketë shumë plisa në këtë parlament.

“Me fitorën e Herolindës, Arbërit dhe katër kandidatëve të tjerë, do të jenë shumë plisa në Parlamentin e Zvicrës. Do të angazhohem personalisht me qenë pjesë e mbështetjes, për t`i ndihmuar që t`i kemi plisat në Parlament të Zvicrës dhe ata të bëhen yje të politikës sikur që i kemi yjet e sportit atje”, ka theksuar kryetari Haziri.

Aktiviteti i sontëm korrespondon me 10-vjetorin e themelimit të klubit të motoristëve nga Zvicra, “Plisat”./2L ONLINE/