(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në 15-vjetorin e intervenimit ndaj caqeve ushtarake serbe, ka falënderuar në emër të Komunës së Gjilanit forcat e NATO-s, të cilat në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, udhëhoqën fushatën e bombardimeve 78 ditësh dhe sollën lirinë e Kosovës. Në mesazhin e falënderimit thuhet:
“24 marsi i vitit 1999 është njëra nga datat më të rëndësishme për popullin e Kosovës, pasi po në këtë ditë, 15 vite më parë, forcat e NATO-s me në krye SHBA-të, intervenuan mbi caqet ushtarake serbe, duke e ndihmuar popullin e Kosovës në momentet më të rënda.
Në këtë përvjetor, u përulemi të gjithë atyre që ranë në altarin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, ndërsa u shprehim mirënjohjen tonë miqve tanë, ushtarëve të NATO-s në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që na dolën në ndihmë në orët e liga të fushatës së spastrimit etnik e të përpjekjes për gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës.
24 marsi i vitit 1999 ishte ditë e shpresës për popullin e Kosovës, ku pas 78 ditë bombardimesh mbi caqet ushtarake serbe, Kosova u çlirua përfundimisht nga vuajtjet shekullore, e më pas u kurorëzua edhe me Pavarësinë e vendit, më 17 shkurt 2008.
Në këtë përvjetor të 15-të, duhen theksuar objektivat tona institucionale, për ta zhvilluar ekonominë dhe të gjithë sektorët e rëndësishëm të Komunës sonë, për t’ua bërë më të mirë jetën qytetarëve tanë” /2lonline/