(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka mbikqyrë sot punimet që po realizohen në lagjen “Dheu i Bardhë”, të cilat po realizohen në kuadër të katërshës së madhe të prioriteteve komunale.
Gjatë mbikqyrjes së punimeve, kryetari Haziri është ndarë i kënaqur me cilësinë e punimeve, ndërsa tha se do të vazhdohet me këtë dinamikë edhe në të ardhmen.
“Jam i kënaqur me cilësinë e punimeve në këtë lagje, por edhe në lagjet dhe fshatrat tjera gjithandej Komunës së Gjilanit. Do të vazhdojmë me dinamikë ndërtimin e rrugëve, trotuareve, kanalizimeve, ujësjellësit dhe ndriçimit publik. Gradualisht, po i realizojmë premtimet tona duke ua ndërtuar katërshën elementare të proklamuara gjatë fushatës. E kemi për obligim t’ju mundësojmë qytetarëve të jetojnë dinjitetshëm”, ka thënë me këtë rast kryetari Lutfi Haziri.
Ndërkohë, kryetari Haziri së bashku me banorët e lagjes “Dheu i Bardhë” kanë prerë shiritin si simbolikë e përurimit të ndërtimit të rrugës “Agim Rashiti”, ku i pranishëm ka qenë edhe asambleisti Nevzad Rushiti.
Nga ana e tyre, banorët e lagjes “Dheu i Bardhë” u shprehën të kënaqur me punët që po ua rregullon Komuna, duke falënderuar kryetarin Haziri për kujdesin e treguar në mënyrë permanente.
Ndërtimi i infrastrukturës rrugore në qytet e fshatra, përfshirë rrugët, ujësjellësin, kanalizimin, trotuaret dhe ndriçimin publik, janë ndër prioritetet e qeverisjes Haziri që nga marrja e mandatit më 24 dhjetor, të cilat po realizohen suksesshëm./2L ONLINE/