Haziri e njofton Kuvendin Komunal se nesër do ta shpall përbërjen e ekzekutivit

Haziri e njofton Kuvendin Komunal se nesër do ta shpall përbërjen e ekzekutivit

Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e radhës, të cilën e ka kryesuar Shpresa Kurteshi – Emini, ka miratuar raportin financiar për periudhën janar-mars 2018, iniciativën e kryetarit të Komunës për bashkëpunim me Komunën Sioux City në Ajova (SHBA), vendimin për ndarjen e bursave për studentë të dalluar të komunës së Gjilanit si dhe njëkohësisht ka formuar komisionin për ndarjen e këtyre bursave, pastaj vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit për anëtarët e komisionit statutar dhe akte tjera normative, ndërkaq raportin financiar të manifestimit “Flaka e Janarit” 2018 e ka kthyer për plotësim.

Fillimisht kryetari i Komunës, Lutfi Haziri është përgjigjur në pyetjet dhe interesimet e këshilltarëve komunalë: Burim Berisha, Riza Abdyli, Hevzi Xhelili, Ibish Ibishi, Nehat Osmani, Avdyl Aliu, Bujar Nevzati, Nevzad Isufi, Arijeta Rexhepi, Xhelal Hajrullahu, Arbëresha Hyseni, Arianit Sadiku, Arta Haziri, Festa Shabani, Milivoje Stojanoviq dhe të tjerë, në çështjet e ngritura rreth infrastrukturës rrugore, disa konkurseve në arsim, shujtës së nxënësve, pastaj investimeve në stadium, shtëpinë e kulturës në Përlepnicë, vonesat në formimin e qeverisjes së re komunale dhe të tjera.

Kryetari Haziri ka thënë se në stadiumin e qytetit është duke u kryer faza e parë e projektit, në vlerë 3.2 milionë euro dhe atje po punohet kujdesshëm për të mos e penguar rrjedhën e kampionatit. Sa i përket rinovimit të Shtëpisë së Kulturës në Përlepnicë, ai ka sqaruar se vonesa ka ndodhur për shkak se projekti ishte nën hetime, duke shtuar se shumë shpejt do të vazhdojnë punimet, për t`ia dhënë pastaj statusin që meriton këtij objekti të kulturës.

Sa i përket një konkursi në arsim, kryetari Haziri ka thënë se procedurat janë në fazën e përmbylljes dhe shumë shpejt do të shpallen rezultatet, ndërkaq një konkurs tjetër ishte anuluar për shkak se nuk janë paraqitur mjaftueshëm kandidatë profesionalë. Sipas kryetarit Haziri, shujta për nxënës pritet të fillojë në vitin shkollor 2018/2019.

Investime të konsiderueshme do të bëhen në infrastrukturën rrugore, si në qytet, ashtu edhe në fshatra, kudo që ka nevojë, në kuadër të dy projekteve, atij të vitit të kaluar, që ishte ndërprerë përkohësisht, për shkak të zgjedhjeve lokale si dhe kushteve atmosferike si dhe projektit të këtij viti, që po ashtu do të fillojë së shpejti.

“Njëkohësisht, punët janë duke u zhvilluar edhe në projektet e mëdha, siç është rruga hyrëse-dalëse me katër krosi Gjilan-Livoç i Poshtëm, derisa jemi në pritje edhe të rrugës së njëjtë në drejtim të Prishtinës”, ka thënë kryetari Haziri.

Pasi ka dhënë përgjigje në të gjitha çështjet e ngritura nga këshilltarët, Haziri i ka ftuar ata të bëhen pjesë e nismës për rregullimin dhe mirëmbajtjen e ambientit.

Ndërkaq, sa i përket formimit të qeverisjes komunale, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve lokale, kryetari Haziri ka paralajmëruar se nesër do ta bëjë publik vendimin e tij, duke thënë se ekzekutivi i ri do të jetë i përbërë nga LDK-AAK-AKR dhe komunitetet, ndërkohë që kjo mundësi i është lënë edhe subjektit Nisma, me të cilën po ashtu janë zhvilluar besime, që deri nesër në ora 11:00 t`i dërgojë propozimet e veta, nëse dëshiron të jetë pjesë e këtij koalicioni. Pjesë e kësaj qeverisje do të jetë edhe shoqëria civile, e cila do të udhëheq sektorë të rëndësishëm, ka thënë Haziri.

“Unë kam dashur që edhe LVV e PDK të jenë pjesë e qeverisjes, por këto dy subjekte nuk kanë pranuar të jenë në ekzekutiv dhe kanë vendosur të mbeten në opozitë”, ka thënë Haziri.

Ndërkohë, PDK e LVV e kanë lëshuar seancën e Kuvendit, për shkak të, siç kanë thënë Riza Abdyli e Nevzad Isufi, shefa të grupeve të këshilltarëve të këtyre dy subjekteve, vonesave në formimin e qeverisjes komunale si dhe themelimin e komiteteve.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se ikja nga përgjegjësia, nuk është sjellje pozitive, duke rikujtuar opozitën se Kuvendi e ka agjendën e vetë të punës.

Keqardhje për këtë hap të opozitës shprehën edhe subjektet politike, nëpërmjet shefave të grupeve, Avdyl Aliu (LDK), Ibish Ibishi (AAK), Shemsedin Ramushi (AKR) dhe të tjerë.

Përndryshe, Kuvendi ka vazhduar punën me pikat e parapara të rendit të ditës dhe fillimisht ka miratuar raportin buxhetor të këtij tremujori, të cilin e ka paraqitur Ilmi Limoni nga Drejtoria për Financa, ndërsa është përkrahur nga këshilltarët e pranishëm në seancë.

Kuvendi ka miratuar edhe nismën e kryetarit Lutfi Haziri për bashkëpunim me Komunën Sioux City në Ajova të SHBA-së, në fushat përkatëse me karakter administrativ teknik në fushën arsimore, kulturore dhe në agrobiznes, në të mirë të dy komuniteteve. Një arsyetim për rëndësinë e këtij bashkëpunimi e ka paraqitur Faton Bislimi (LDK).

Njëherësh, Kuvendi ka miratuar vendimin për ndarjen e bursave për studentë të dalluar, për çka Drejtoria e Arsimit ka ndarë 30 mijë euro. Bursat do të ndahen për 57 studentë të dalluar të Komunës së Gjilanit, për vitin akademik 2017/2018.

Mimoza Kadriu (Nisma) tha se e mbështet vendimin, por kërkoi që paraprakisht të caktohet formula e ndarjes së bursave sipas profileve arsimore. Kryesuesja e Kuvendit, Kurteshi-Emini sqaroi se konkursi do t`i përmbajë të gjitha detajet e ndarjes së bursave.

Shumica e vendimeve janë përkrahur me votë edhe nga Festa Shabani, ish-përfaqësuese e LVV, e cila është ndarë nga ky subjekt dhe tani e tutje do të jetë këshilltare e pavarur.

Kuvendi e pranoi propozimin e Avdyl Aliut (LDK) që komisioni për përzgjedhjen e përfituesve të zgjerohet në shtatë anëtarë, nga pesë sish sa ishte propozuar fillimisht, për të siguruar një përfshirje sa më të gjerë, ndërkaq sa i përket kompensimit të komisionit statutar dhe akte tjera normative, u vendos që për punën e bërë, secilit prej anëtarëve t`i ndahet një shumë prej 250 euro. Shuma e propozuar prej 400 euro, u vlerësua e lartë dhe nuk u pranua nga Kuvendi.

Kuvendi ka miratuar edhe ndryshimet e propozuara në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi si dhe ka rishqyrtuar vendimin që ka të bëjë me përbërjen e Komitetit për komunitete, sipas rekomandimit të MAPL.

Raporti financiar i manifestimit “Flaka e Janarit 2018”, i cili sivjet është mbështetur financiarisht nga MKRS-ja, është kthyer për plotësim.

Në pikën nën të ndryshme, kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini ka dhënë sqarime rreth përfaqësimit në Asociacionin e Komunave të Kosovës si dhe udhëheqjes së komiteteve komunale, të cilat në fillim të seancës u ngritën si çështje nga opozita

KOMENTE