Haziri: “Dardania” e Gjilanit pas parkut, po bëhet me çerdhen më të madhe e modern në regjion

/2L ONLINE/ – Në Komunën e Gjilanit, një kujdes i veçantë është duke iu kushtuar investimit në arsim në përgjithësi dhe kujdesit në shtimin e infrastrukturës në Institucionet Parashkollore në veçanti, duke ndërtuar çerdhe të reja e moderne, renovuar hapësirat të cilat janë të njëjtat që nga vitet e 70-ta dhe duke modernizuar ambientet përeth.

Në kuadër të vizitave që kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, po i bënë në terren, pas vizitës në sektorin e shëndetësisë, sot ka përcjellur nga afër punimet që janë duke u kryer në ndërtimin e çerdhes më të madhe dhe më modern në regjion, asaj në lagjen “Dardania”, me investim të përbashkët me USAID-in.

“Pas përfundimit të punimeve të parkut “Dardania”, jemi duke punuar në projektin tjetër me rëndësi të madhe me financim të përbashkët nga Komuna e Gjilanit dhe Qeveria Amerikane, përmes partnerit implementues USAID–Kosova, përmes programit Qeveria për Qeverinë. Sot jemi në inspektim të punimeve dhe në përcjellje të dinamikës së punëve, sepse jemi të interesuar, që të mos humbim fare kohë. Kjo është çerdhja më e madhe në regjion sa i përket hapësirës ku do të ketë edhe numrin më të madh të fëmijëve duke trajtuar moshën nga zero deri në gjashtë vjetë. Vlera e përgjithshme e projektit është 400 mijë euro dhe participimi është 50 për qind buxhet i Qeverisë Amerikane dhe 50 për qind buxhet i Komunës së Gjilanit”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka potencuar se nga buxheti vetanak në një të ardhme të afërt do të ndërtohet edhe biblioteka për fëmijë me infrastrukturën përcjellëse, pikërisht afër qerdhes dhe po në këtë lagje.

Sa i përket lagjes “Dardania”, Haziri ka dhënë edhe lajmin tjetër të mirë dhe në interes të kësaj lagjeje, duke potencuar investimin nga buxheti komunal i terrenit sportive për grupmosha të caktuara, që përfshinë infrastrukturë të mjaftueshme dhe me standarte të larta, por edhe rregullim dhe investim të fushave të ndryshme sportive dhe fushat e lojës së tenisit.

Ai ka njoftuar se Komuna e Gjilanit së bashku me USAID-in është duke punuar edhe në tri programe që janë në interes të komunitetit, qytetarëve dhe të Komunës së Gjilanit në përgjithësi.

Ndryshe kryetari Haziri, ka vizituar edhe dy Institucionet tjera Parashkollore, “Ardhmëria II” dhe “Integj”, ku ka njoftuar që do të bëhet intervenime në renovime në të dy këto institucione dhe në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë për fëmijët si brenda ashtu edhe jashtë tyre, në të gjitha fushat, në inventarizime, kopshte, këndin e lodrave, rrethojave, investimin e brendshëm në modernizim të objekteve, por e gjithë kjo me një përllogaritje të mirë nga profesionistët e kësaj lëmie në kuadër të Komunës së Gjilanit.

“Pos renovimeve jemi duke bërë përgatitjet për investimin e ndërtimit edhe të një çerdheje në lagjen “Arbëria” që është shumë e domosdoshme për t’u kujdesur për një numër më të madh të fëmijëve. /2L ONLINE/




KOMENTE