/2L ONLINE/ – Shkrimtari Shaip Beqiri ka pranuar sot çmimin letrar “Beqir Musliu”, të cilin e ka ndar kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, për arritje të veçanta në letërsi në një ceremoni të veçantë.
Kryetari Haziri, fillimisht në këtë ceremoni, ka uruar shkrimtarin Shaip Beqiri, për të cilin tha se ka dhënë kontribut të madh në lëmin e letërsisë, derisa ka qenë miku më i ngushtë i shkrimtarit të famshëm gjilanas, Beqir Musliu.
Haziri gjithashtu ka ndarë pak moment të kujtimit për njeriun e letrave shqipe, Beqir Musliun, i cili sipas tij ishte i lidhur ngushtë me Gjilanin dhe zhvillimet kulturore, shoqërore e letrare.
“Beqa, për të gjithë ne që kishim rastin ta njohim sadopak, freskohemi me kujtimet e një njeriu të përkushtuar, të sinqertë dhe të lidhur me zhvillimin letrar, kulturor e shoqëror të Gjilanit. Kisha rastin, si i ri që të rritem afër këtij njeriu me virtyte të larta, i cili së bashku edhe me shumë të tjerë, ishin njerëzit kryesor të kulturës. Beqa mbetet edhe më tutje i pavlerësuar në nivelin që ne presim. Ky çmim, ky titull, Gjilanit, Kosovës dhe shqiptarëve u bënë nderë kudo që jetojnë”, ka thënë kryetari Haziri, duke potencuar mungesën e cila vërehet përditë e më shumë edhe pas 20 vjet të ndarjes nga jeta.
Ndërsa, fituesi i çmimit “Beqir Musliu”, Shaip Beqiri, ka falënderuar kryetarin për çmimin, duke thënë se ky është një nderë i madh për të, meqë e kishte mikun më të mirë të jetës shkrimtarin e famshëm gjilanas, Beqir Musliu.
Në emër të jurisë, Nexhat Rexha, ka bërë arsyetuar vlerësimin për shkrimtarin Beqiri, sikur që ka falënderuar kryetarin Haziri dhe Komunën e Gjilanit për mbështetje të vazhdueshme të kulturës në përgjithësi.
Ndërsa në këtë ceremoni janë deklamuar poezi nga njerëzit e artit dhe autorë të ndryshëm të cilët ishin prezent sikur që është mbajtur një fjalë rasti edhe nga Adademik Ali Aliu, i cili fituesin e çmimit letrar, e ka vlerësuar lartë për nivelin e lartë të përkushtimit në veprat e tij, ndërsa për Beqir Musliun thotë se ishte njeriu i cili sakrifikonte çdo gjë, për zhvillimin dhe ecjen e artit dhe letërsisë përpara, “është nderë dhe krenari të takojmë qoftë edhe vetëm një pjesë të vogël të shkrimeve të Beqir Musliut”.
Ndryshe, fituesi është përzgjedhur nga juria e konkursit letrar ‘Beqir Musliu’, në përbërje Nexhat Rexha, Albina Idrizi, Hasan Bunjaku, Ramadan Mehmeti e Sadete Tërnava Osmani. /2L ONLINE/