/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas dy takimeve të ndara me këshillin e punëtorëve të kompanisë “Ecohigjiena” dhe përfaqësuesin e aksionarit austriak, ka arritur t’i bind ata që ta ndërpresin grevën.
“Pas dy takimeve të sotme me këshillin e punëtorëve të kompanisë “Ecohigjiena” dhe me menaxhmentin në detyrë, me autorizime të z. Christian Moser, kemi arritur që të ndërpritet greva, sipas marrëveshjes që Komuna në këtë rast është edhe aksionare, por edhe lehtësuese në bisedime mes menaxhmentit dhe këshillit të punëtorëve. Ne i japim garancion të plotë këshillit të punëtorëve që asnjë masë sanksionuese nuk mund të merret për shkak të grevës”, ka thënë Haziri, pas takimit në orët e pasdites me këshillin e punëtorëve.
“Gjatë javës që po hyjmë, jemi marrë vesh në parim që të zgjidhet një drejtor sipas konkursit publik, i cili ka mundësi dhe kapacitete të punojë me ndërmarrjen dhe jemi marrë vesh që të rishikohet kontrata mes “Moser Group” dhe Komunës së Gjilanit, e cila duhet të definohet qartë sa i përket investimeve që po mungojnë dhe sa i përket obligimeve të dyanshme, edhe të investitorit austriak edhe të Komunës. Deri tash ne nuk kemi asnjë lloj progresi, është viti i katërt që kjo marrëveshje është në fuqi, ndërsa është viti i tretë që unë nga afër kam punur t’i zgjidhim këto çështje”, ka shtuar Haziri.
Ai tha se deri tek protestat e punëtorëve, ndërmarrja “EcoHigjiena” është njohur si më e mira në Republikë.
“Deri tek protestat e punëtorëve, ndërmarrja EcoHigjiena është njohur si më e mira në Republikë, falë punës së palodhshme dhe angazhimit të këtyre njerëzve. Punëtorët i kanë të drejtat e tyre, kanë nevojë që të ketë investime, paga më të mira, e standard më të mirë. Qëllimi i partneritetit nuk është vetëm pastërtia e qytetit, por në radhë të parë të drejtat e punëtorëve”, ka përfunduar kryetari Haziri.
Përfaqësuesi i këshillit të punëtorëve të “Ecohigjienës, Refik Bajraliu, e ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen dhe garancionin që asnjë punëtori nuk do t’i ndërpritet marrëdhënia e punës.
“Nesër do të fillojmë punën në ora 5 të mëngjesit. Ne i qëndrojmë pas zotimeve të kryetarit Haziri dhe i besojmë”, tha Bajraliu.
Ndërkohë, gjatë ditës, pas takimit me përfaqësuesin e “Moser Group”, kryetari Haziri ka kërkuar nga partitë politike që të mos e politizojnë këtë çështje.
“Kemi kërkuar nga të gjitha palët që të jenë të arsyeshëm, të durueshëm në përballimin e gjendjes, sikur që kemi kërkuar nga partitë politike që të mos e politizojnë dhe të mos ndërhyjnë në çështjet që bordi i “Ecohigjienës” do t’i zgjidhë në ndërkohë dhe shpesoj shumë që po shkojmë parimisht drejt një rishikimi të plotë të obligimeve në kontratë në mënyrë që të rishikohet dhe të implementohen të gjitha ato pjesë”, ka thënë Haziri.
Nga ana e tij, Gerhard Dummer, ka deklaruar se qëllimi i takimit të sotëm është që të normalizohet gjendja në kompaninë “Ecohigjiena” dhe të gjendet një zgjidhje e kënaqshme për të dyja palët. /2L ONLINE/