Haziri bënë bashkë udhëheqësit e komuniteteve fetare për promovimin e vlerave njerëzore
/2L ONLINE/ – Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur sot në lokalet e Bashkësisë Islame në Gjilan një takim me përfaqësues të komuniteteve fetare, përkatësisht të fesë islame, kaotike, ortodokse e protestante si dhe përfaqësues nga qendra regjionale e OSBE-së në Gjilan.
Takimin e ka hapur kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan, Sylejman Osmani, i cili ka falënderuar kryetarin Haziri për iniciativën e bashkimit dhe afrimit me të gjitha komunitetet fetare në Gjilan, duke kontribuar shumë që të ketë bashkëjetesë më të mirë dhe promovim të vlerave njerëzore.
“Këto takime janë urë lidhëse që ofrojnë dhe bashkojnë njerëzit. Ne duhet të jetojmë në afrim me njëri-tjetrin dhe mund të bashkëpunojmë mes veti dhe të respektojmë vlerat e njëri-tjetrit. Kryetarin Haziri e falënderoj shumë për këtë nismë, besojmë në lidershipin tuaj në udhëheqjen e Komunës së Gjilanit, qytet ky i cili po bëhet vatër e tolerancës dhe mirëkuptimit”, ka thënë Osmani.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, tha se ky takim mikpritës në Bashkësinë Islame po bëhet që të thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin në mes të Komunës dhe me liderët e komuniteteve fetare.
“Ne e kemi një bazë të rëndësishme të tolerancës ndërfetare dhe po punojmë që duke marrë shembull këtë tolerancë ta thellojmë edhe tolerancën ndëretnike dhe ta thellojmë bashkëpunimin ndërinstitucional. Në jemi në shërbim të kërkesave të mundësive dhe angazhimeve tona të përbashkëta. Komuna e Gjilanit tashmë e ka ndërtuar një kulturë bashkëpunimi, ne kemi emëruar një zyrtar ndërlidhës i cili është vetëm shembull i vogël i angazhimeve tona të përbashkëta sepse duhet të bëjmë shumë në shërbim të përbashkët”, ka thënë kryetari Haziri.
Haziri ka shtuar se të gjitha apelet e thirrjet hyjnore duhet të na ndihmojnë që pa dallim të besimit, “lutja jonë në Zotin dhe në të mirë, të jetë ajo që na bashkon të gjithëve”.
Në këtë takim fjalë rasti kanë pasur edhe përfaqësuesit e komunitetit fetar katolik, ortodoks e protestant, të cilët u shprehën se takimet e tilla paraqesin gjithmonë një afrim me njëri-tjetrin dhe se mund të bashkëjetojmë mjaftë mirë edhe duke pasur diverzitet fetar. /2L ONLINE/
