(2LONLINE) – Komuna e Gjilanit në krye me Lutfi Hazirin, që nga marrja e detyrës më 24 dhjetor e deri më sot, nuk ka harxhuar asnjë cent për dreka zyrtare. Kryetari Haziri ka thënë se do të jemi edhe më shumë në dietë buxhetore, për shkak të vështirësive që kemi, sepse nëse nuk parandalohet tash, Komuna shkon drejt falimentimit buxhetor.
Haziri tha se duke e rritur disiplinën buxhetore, krijojmë fonde e buxhet për investime, që është efekti më i madh.
“Duke e rritur disiplinën buxhetore ne krijojmë fonde, buxhet për investime që është efekti më i madh, sepse mjetet që ruhen do të shkojnë në investim, si në rrugë, shkolla, kanalizime dhe infrastrukturë tjetër publike, e jo ajo çfarë ka ndodhur që gati gjysmë milion euro harxhohen në ushqim dhe pije, e që faturat janë ato që nuk dëshmojnë për një ligjshmëri të atij shpenzimi”, ka thënë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Ndërsa, vetëm në vitin 2013, qeverisja e kaluar ka harxhuar për dreka zyrtare, ushqim dhe pije hiç më pak se 466 mijë euro.
Për dreka zyrtare janë harxhuar mbi 316 mijë euro, ndërsa për ushqim dhe pije mbi 150 mijë euro që nëse përpjesëtohen me 288 ditë pune i bie që 1,618 euro janë shpenzuar për një ditë pune për dreka zyrtare, ushqim dhe pije. /2lonline/