DYLON

Haxhiu: Aktgjykimi i sotëm, lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës

Haxhiu: Aktgjykimi i sotëm, lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës
Avatar photo Redaksia

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ushtruese e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me aktgjykimin e sotëm, duke i cilësuar dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit një goditje të rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast të rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton.

Në një ditë si kjo, ka thënë kryetarja Haxhiu, pesha e këtij vendimi nuk mund të ndahet nga historia prej së cilës kemi ardhur.

EkoHigjiena

“Kosova e ka përjetuar mbi vete dhunën e një aparati shtetëror që vrau civilë, kreu masakra, dëboi qindra mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe la pas mijëra të vrarë e të zhdukur. Kjo përvojë është pjesë e pashlyeshme e kujtesës së Kosovës dhe të kombit shqiptar. Mendimet e mia janë, para së gjithash, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prej vitesh ato mbajnë barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë. Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht”, ka thënë kryetarja Haxhiu.

Kryetarja e Kuvendit ka ritheksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

“Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet. Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme. Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë. Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë”, ka theksuar kryetarja Haxhiu, duke shtuar se Republika e Kosovës do ta përballojë edhe këtë sprovë, duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe së vërtetës së saj. Sepse, siç tha ajo, aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.