DYLON

“Hat-trick-u” i Almir Aganspahiqit solli fitoren e Gjilanit dhe e shpëtoi skuadrën nga shumëçka?!

“Hat-trick-u” i Almir Aganspahiqit solli fitoren e Gjilanit dhe e shpëtoi skuadrën nga shumëçka?!
Avatar photo Redaksia

SC Gjilani ka shënuar një fitore të madhe ndaj Feronikelit ’74, me përmbysje të rezultatit nga 2:0, në 2:3, edhe atë fal “hat-trick-ut”, që realizoi Almir Aganspahiq.

Ishte kjo ndeshje e javës së 32-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll e luajtur në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

EkoHigjiena

Siç dihet, akoma pa filluar ky takim është vlerësuar se është një ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë, sidomos për skuadrën kuq e bardhë nga Gjilani, e cila  synon që në këto javë të mbetura, ta stabilizojë veten nga “luhatja” që po e përcjellë tash e sa kohë, dhe me fitore të grumbullojë pikë mjaftueshëm që do ta dërgonin në pozitën që ua siguron garat në Evropë, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Në anën tjetër, skuadra nikoqire, Feronikeli, tashmë është përshëndetur nga elita e futbollisti kosovar, andaj pa pikë presion mendohej se do t’i qasej këtij takimi dhe të gjej rrugën e fitores.

Dhe, ndeshja filloi, por ajo që sollën 45 minutat e para, nuk ishte sihariq për skuadrën gjilanase, pasi vendësit, përmbyllën 45 minutat e para me avantazh 2:0.

Dhe kur mund të lindte pyetja, se a kishte ardhur momenti kur Gjilanit i duhej të pajtohej me pjesën e poshtme të tabelës dhe “betejat”, në javët e mbetura t’i bënte për mbijetesë në elitë, doli në skenë Almir Aganspahiq protagonist absolut i takimit të sotëm, i cili tundi rrjetë e portës kundërshtare tri herë, aq sa duhej që Gjilani ta përmbyste rezultatin dhe të dilte nga ky ballafaqim fitues, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Pra, ishte Aganspahiq, që me “hat-trick-un”, e tij  “e shpëtoi”, Gjilanin duke e mbajtur “ndezur” shpresën për pozitën që mund ta dërgojë në garat evropiane, e të mos bije, me rënie të lirë, ka pozita e barazhit.

Siç dihet, Gjilani kishte luhatjet e tija, gjatë këtij edicioni, për të pasur në vazhdimësi paqartësinë se në cilën pjesë të tabelës së klasifikimit, po stabilizohej. Madje, kujtojmë se ditë më parë, kishte dhënë dorëheqje edhe drejtori sportiv, Ertan Demiri, ndërsa ndonjë rezultat negativ në këtë ‘finish” të kampionatit, mund të sillte, “dorëheqje” të tjera!.

Gjithsesi, akoma nuk kemi qartësi, përkatësisht siguri, se ku do të jetë Gjilani në tabelë, në fund të edicionit, kur kanë mbetur edhe katër javë, përkatësisht pesë javë pa u zhvilluar. Ajo që dihet është se, Gjilanin nuk e presin ndeshjet e lehta. E pret Malishevën dhe Prishtinën, ballafaqohet edhe me ekipin rival të qytetit, liderin Dritën, si dhe në javën e fundit është mysafire e Ferizajt.

Aktualisht, Gjilani ka 45 pikë në pozitën e katërt, dy më pak se Malisheva në pozitën e tretë, pozitë kjo që siguron pjesëmarrjen në garat evropiane, derisa e pesta në tabelë është Ferizaj, me po aq pikë sa Gjilani, por me një lojë më pak.  /2LONLINE/

Ndeshja e sotme: Java e 32-të.
Pra, FC Feronikeli ’74 2-3 SC Gjilani.
Golashënues:
23’ Hyseni
35’ Hyseni
53′ Aganspahic
82′ Aganspahic
90+6′ Aganspahic