Hasani: Turp për Gjilanin, heroi Kadri Zeka ende pa shtatore

Hasani: Turp për Gjilanin, heroi Kadri Zeka ende pa shtatore

Bajram Hasani, anëtar i kryesisë së NISMA për Kosovën, njëherësh kryetar i Nisma-s për Gjilanin, ka shkruar në profilin e tij se e konsideron se është e turpshme që komuna e Gjilanit dhe Anamorava në përgjithësi nuk i ka ngritur një shtatore atdhetarit të madh të rajonit tonë Kadri Zeka.

Sipas tij, Kadri Zeka meriton që ta ketë një shtatore në qendër të Gjilan.

Për më tepër, ja postimi i plotë i Hasanit:

“Sot bëhen 35 vjet nga vrasja e Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla nga regjimi ish-jugosllav. Kadri Zeka dhe vëllezërit Gërvalla ishin intelektual që me punën e tyre, vizionin politik, dashurinë ndaj atdheut arritën ta organizojnë dhe unifikojnë diasporën shqiptare për të nisur lëvizjes kombëtare për lirinë e Kosovës.

Kadri Zeka me bashkëveprimtarët e tij u vranë në një natë të ftohtë janari, por emri dhe vepra e tyre nuk do të vdesë kurrë, sepse ata u shndërruan në prijës shpirtërorë të kauzës për lirinë e Kosovës dhe i hapën rrugë lirisë dhe pavarësisë së këtij vendi.

Por, si i nderojmë dhe kujtojmë ne sot. A thua mjafton që vetëm më një manifestim të përvitshëm ta nderojmë veprën e të madhit Kadri Zeka. Jo!

Konsideroj se është e turpshme që komuna e Gjilanit dhe Anamorava në përgjithësi nuk i ka ngritur një shtatore atdhetarit të madh të rajonit tonë Kadri Zeka.

Kadri Zeka meriton që ta ketë një shtatore në qendër të Gjilan.

Andaj i bëj thirrje Kuvendit Komunal, kryetarit të Komunës dhe të gjithë qytetarëve që të punojmë dhe ta nderojmë Kadri Zekën ashtu siç e meriton, ashtu siç e nderoi rajonin tonë dhe gjithë Kosovën.

Kadri Zeka do të mbetet gjithmonë njëra prej figurave më të ndritura që ka dhënë ky rajon.

KOMENTE