/2L ONLINE/ – Anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën, njëherësh kryetar i Degës së kësaj partie në Gjilan, Bajram Hasani, ka kritikuar krerët e institucioneve të vendit se po bëjnë thirrje për konsensus për tema që janë kundër interesave të popullit.
Hasani në profilin e tij në “Facebook”, ka shkruar se presidentja Atifeta Jahjaga, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa po kërkojnë pajtueshmëri për themelimin e Gjykatës Speciale, duke e gjymtuar kështu sovranitetin e vendit.
“Po kërkojnë pajtueshmëri për siç po thonë, miratimin e një amendamenti kushtetues (për të mundësuar themelimin e Gjykatës Speciale), i cili në vetvete nuk është thjesht një amendament që do ta bënte Kushtetutën më të mirë apo do ta plotësonte atë me diçka që deri më tani nuk e ka pasur. Përkundrazi po kërkojnë pajtueshmëri sepse ata shumë mirë e dinë se ajo çfarë ata janë duke përgatitur është gjymtim i sovranitetit të vendit. Ata e dinë mirë se për një gjë të tillë nuk kanë mandat nga populli, i cili ua ka dhënë votën për ta mbrojtur sovranitetin e vendit. Prandaj po kërkojnë që të gjithë të marrin pjesë në këtë krim që po i përgatitet vendit”, ka thënë Hasani.
Ai ka thënë se nëse themelohet Gjykata Speciale në të ardhmen do të dëshmohet se ka qenë vendim kriminal.
“Nuk po e kërkojnë këtë konsensus se u dogjën për unitetin e spektrit politik. Jo, po e kërkojnë sepse kur në të ardhmen të dëshmohet se ky ishte vendimi më kriminal që i është bërë Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, atëherë ata të mund të thonë: ‘Epo vërtetë doli të jetë vendim tejet i gabuar, por të gjithë kemi faj, sepse për këtë kemi pasur konsensus pra pajtueshmëri të plotë’. Andaj, që të mos vijë ajo kohë kur ju do të thoni: ‘Po vërtetë doli të jetë vendim shumë i gabuar’, po ju thërrasim sot, ejani të ndërtojmë konsensusin aq shumë të kërkuar nga ju, por jo për ta gjymtuar sovranitetin e vendit por për ta mbrojtur atë”, ka deklaruar kryetari i Degës së Nismës në Gjilan, Bajram Hasani./2L ONLINE/