(2L ONLINE) – Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, kreu i komunës Lutif Haziri ka paraqitur raportin e punës për vitin 2014, ndërsa opozita në fjalën e tij ka folur me tone kritike për këtë raport. Njëri ndër ta, Bajram Hasani, anëtar i Kuvendit nga Nisma për Kosovën, ka kritikuar kryetarin për përfshirjen e madhe në politikat nacionale, duke e lënë pasdore Gjilanit.
Ai tha se kryetari edhe pas një viti po vazhdon me arsyetime të njëjta para qytetarëve duke u thirrur në borxhet e trashëguara, e që e kanë penguar në punën e tij. Por, sipas tij, kryetari i komunës po harxhon shumë energji në politikat nacionale në politikat rehabilituese në subjektin e tij, andaj edhe e ka ftuar atë të i lë këto politika nacionale, por t’i kthehet Gjilanit ku është kryetar.
“Kryetari i Komunës po harxhon energji shumë në politikat nacionale, sidomos në politikat rehabilituese të LDK-së, ku ka probleme. Ka ardhur koha që kryetari t’i kthehet Gjilanit me projekte konkrete sepse qytetarët e presin një gjë të tillë nga ai” ka thënë Hasani i NISMA-s.
Hasani që është edhe kryetar i Degës së Nisma-s për Gjilan dhe anëtar i kryesisë qendrore, ka thënë se Nisma në Gjilan ka formuar komisione adekuate dhe do ta përcjellë qeverinë komunale në çdo veprim të saj dhe se nuk do të jetë vetëm kritikuese por edhe ndihmuese me këshilla , krejt kjo për të mirën e qytetarëve. Seanca e Kuvendit po vazhdon rreth raportit të punës së kryetarit të Komunës. /2L ONLINE/