/2LONLINE/ – Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se vetëm zgjedhjet janë zgjidhje, janë një mundësi për Kosovën, një mundësi për të shkuar drejt normalizimin. Ai ka fajësuar qeverinë se është shkaktare e kësaj krize dhe se rruga më e mirë e zgjidhjes së kësaj krize është në duar të qytetarëve të cilët i ftoi në numër sa më të madh të protestojnë më 17 shkurt.
Haradinaj tha se zgjedhjet janë zgjidhje për të dalë prej kësaj gjendje të keqe dhe se është një mundësi që këtë krizë me e zgjidh vet qytetari, pasi sipas tij, nuk munden me e zgjidh krizën politikanët e sotshëm pushtetarë.
Ai ka rikujtuar edhe vendimin e kushtetueses sipas të cilës janë qartësuar të gjitha nenet e marrëveshjes që nuk janë në harmoni me Kushtetutën. Sipas Haradinajt, me zgjedhje Kosova shkon në një normalitet dhe në një mundësi të re, andaj duhet pjesëmarrja sa më e madhe e qytetarëve në protestën e 17 shkurtit, për të cilën tha se do të jetë paqësore dhe e dinjitetshme
“Të gjithë ata që vijnë më 17 shkurt në Prishtinë vendosin. Është vendimi i qytetarëve për një mundësi të re të Kosovës”, është shprehur lideri i AAK-së, i cili ka përshëndetur edhe aderimet që janë bërë sot në AAK-në e Gjilanit. /2L ONLINE/