Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në shënimin e 22- vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Gjeneral Major Luan Haradinaj.
Fillimisht, kryeministri Haradinaj bëri homazhe te shtatoret e heronjve, Luan Haradinaj, e Salih Çekaj në Deçan si dhe në Kompleksin Memorial , “Dëshmorët e Kombit,, në Gllogjan.
Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, tha se janë bashkuar për të përkujtuar bacën Smajl, një atdhetar të shquar shqiptar, vazhdues i një trungu vërtet atdhetar, prej Xhemajl Haradinajt e deri te paraardhësit tjerë, që në luftërat për liri, për komb e atdhe, kanë qenë gjithmonë të pathyeshëm.
“Fjala i pathyeshëm, është një fjalë që mund ta thuash kohë pas kohe në raste të caktuara dhe ju siguroj se nga mosha që e kam njohur, kur unë kam qenë fëmijë, Smajl Haradinaj ka qenë i pathyeshëm”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se nëse dikujt duhet t’i atribuohet pathyeshmëria në bindje e në ideale të veta të lirisë e të kombit, atëherë të gjithë mendojnë se ai ka qenë i pathyeshëm.
Kryeministri Haradinaj, më tutje theksoi se, vepra dhe rruga e tij jetësore kanë qenë jo vetëm frymëzim për breza të tjerë dhe, kësisoj, ka ardhur deri te brezi i fundit i luftëtarëve shqiptarë të lirisë, i brezit të UÇK-së.
“Luani ka pas nderin me qenë bashkëluftëtar i plot bashkëluftëtarëve të gjallë që takoj sot këtu, por edhe me plot dëshmorë, martirë e heronj që i njohim. Ai ka rënë me 6 maj ’97. Ai ishte ndër të parët që e refuzoi kufirin shqiptaro-shqiptar të na ndajë dhe, të cilin e ka kaluar sikur të kalonte nëpër tokën e vet, duke mos e përfillur atë ndarje. Rënia e tij në atë kufi është porosi që nuk do të lejojmë ndarje mes neve, mes shqiptarëve”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se do të nderohet sot e përmot vepra e atdhetarëve shqiptarë, jo vetëm të bacës Smajl e të brezit të tij, brez i cili në atë kohë guxoi të besojë që mund ta kundërshtojë Jugosllavinë, por edhe brezin e UÇK-së, i cili do të nderohet me punë.
Lavdi e përjetshme!
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se dëshmorët që kujtojmë sot, por edhe të gjithë të rënët për liri, janë emra të lavdishëm të historisë së kombit, emra titanësh, që përjetë do të mbesin model se si duhet atdheu.
Të pranishëm në shënimin e këtij përvjetori ishin edhe ministra, deputetë, kryetarë komunash, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë.