Haradinaj: Shëndetësia ka qenë e lënë pasdore, është hera e parë që ka ndryshuar diçka

Haradinaj: Shëndetësia ka qenë e lënë pasdore, është hera e parë që ka ndryshuar diçka

“Kjo është një e arritur e shëndetësisë së Kosovës. Është renovuar Reparti i Emergjencës, por nuk është vetëm ky repart. Shpreh falënderim për ministrin Ismajli, për punën, për të gjithë, sepse është duke u renovuar shëndetësia në tërësi. Kjo është një simbolikë në këtë rast”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas vizitës që i bëri Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, me ç’rast u bë edhe hapja e repartit të renovuar të Emergjencës.

Pas vizitës që u bëri reparteve të renovuara në Qendrën Emergjente, kryeministri Haradinaj tha se ka shumë punë, por do të vazhdojmë së bashku.

“Ne kemi mjekët dhe personelin mjekësor më të mirin në botë. Ju kanë munguar kushtet, pagat, se nuk besoj që i ka dikush më të mirë se ne. Shëndetësia ka qenë e lënë pas dore gjatë dhe është hera e parë që ka ndryshuar diçka”, tha kryeministri Haradinaj.

I pyetur nga gazetarët për Sigurimet Shëndetësore, kryeministri Haradinaj tha se nuk është proces i lehtë, sepse ka ndodhur një ndërprerje dhe duhet filluar nga e para dhe poashtu duhet të investojë publiku njëherë paratë, për ta bërë një bazë të parasë, në mënyrë që gradualisht pastaj të mbushet arka e sigurimeve nga kontribuuesit, nga ata që paguajnë.

“Prapë duhet t’i marrim në përgjegjësi ata që nuk kualifikohen, pra rastet sociale, mirëpo çka është lajm i mirë, është se lista esenciale po sigurohet gradualisht dhe po vjen dita kur pacienti nuk do të blejë më vetë barërat”, tha kryeministri Haradinaj, duke bërë të ditur se për sigurimet ka një target, një kohë, pra viti 2020, duke theksuar poashtu se e gjithë kjo është një lajm i mirë dhe kjo bëhet për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, tha se në Qendrën Emergjente ka ndodhur një renovim i tërësishëm, që nënkupton një siguri më e madhe për pacientët, për personelin mjekësor.

“Sot është një ditë e madhe për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe për personelin shëndetësor, të cilët me të vërtetë kanë punuar në kushte të vështira, e nga sot ata do të kenë kushte më të mira për të përmbushur potencialin e tyre”, tha ministri Ismajli, duke theksuar se nga sot qytetarët do të marrin shërbime më të mira me pajisje moderne.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, falënderoi punonjësit shëndetësorë të cilët pavarësisht kushteve, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. “Kemi një mesazh të qartë për qytetarët e vendit tanë. Shëndetësia është e shtrenjtë, por shteti i Republikës së Kosovës, unë dhe kryeministri, si partnerë të koalicionit jemi të vendosur që të shkojmë deri në fund, që qytetarët tanë denjësisht të trajtohen dhe të mos kenë nevojë të dalin jashtë vendit të vet për shërbime shëndetësore”, tha kryetari Veseli, duke theksuar se personeli shëndetësorë është profesional dhe janë njerëzit tanë.

KOMENTE