Haradinaj: Popullit sot i duhet përmasa e vendosmërisë së heroit si Adem Demaçi

Haradinaj: Popullit sot i duhet përmasa e vendosmërisë së heroit si Adem Demaçi

“Para një viti, Kosova u nda nga njeriu i saj, që shkriu plot 28 vjet të jetës së tij duke e menduar lirinë. Ademi ishte mendimtar. 10 mijë ditë prapa hekurave nuk i konsideroi të humbura, por ditë pune për Kosovën. Burgu për idealistin Adem Demaçi ishte vendi i tij i punës”, kështu tha kryeministri në detyrë, i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në ceremoninë e vënies së gurthemelit për ndërtimin e shtatores së veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Fillimisht, kryeministri në detyrë, Haradinaj bëri homazhe pranë varrit të veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi, me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, me rastin e vënies së gurthemelit për ndërtimin e shtatores së Adem Demaçit tha se, sot një vit bota u nda nga njeriu që guxoi të krijojë liri për popullin e tij të robëruar.

“Pa fjalën e tij, që rrezatonte shpresë, njerëzit vështirë do të rreshtoheshin me lëvizjen e rezistencës dhe liria e Kosovës do të ishte vetëm ëndërr”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke shtuar se atij iu ndalua fjala, duke luftuar një jetë për lirinë e saj.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, më tutje në fjalën e tij para të pranishmëve tha se, veprimtarit të shquar Adem Demaçi iu shkelën të gjitha të drejtat, por ai kurrë nuk u ndal, duke krijuar drejtësi për të tjerët, baca Adem ishte frymëzuesi.

“Para një viti, Kosova u nda nga njeriu i saj, që shkriu plot 28 vjet të jetës së tij duke e menduar lirinë. Ademi ishte mendimtar. 10 mijë ditë prapa hekurave nuk i konsideroi të humbura, por ditë pune për Kosovën. Burgu për idealistin Adem Demaçi ishte vendi i tij i punës”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke shtuar se baca Adem për popullin e tij ishte shenjtor, që tregon rrugët se kah duhet t’i bie për të mbërri në liri dhe askush si ai nuk ka dhënë shpresë e besim për të gjallët se liria është e mundshme dhe për të krijuar duhet të guxosh.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj, tha se baca Adem do të rikthehet në Prishtinë i gdhendur në bronz, për t’ua rrëfyer brezave historinë e sakrificës dhe të për të mbajtur gjallë shpirtin tonë çlirimtar.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj, më tutje tha se popullit të tij, që i është bashkuar popujve të lirë sot, i duhet përmasa e vendosmërisë së heroit si Adem Demaçi, për të gjetur forcën brenda vetes, për të qëndruar konsistent në mbrojtje të interesit nacional.
“Pusho i patrazuar në tokën e atdheut tonë, baca Adem. Lavdi!”

Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni, tha se sot na ka bashkuar Adem Demaçi, sikur na ka bashkuar edhe në të kaluarën brez pas brezi. “Baca Adem tash e tutje do të flas edhe në bronz dhe do të japë mesazhe siç ka dhënë brez pas brezi”, tha Hyseni.
Në emër të familjes, djali i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi, falënderoi Kryeministrin dhe të gjithë bashkëveprimtarët për nderimin që po i bëjnë Adem Demaçit.

KOMENTE