Aktiviteti “Bashkatdhetarët në Kuvend”, i organizuar për herë të parë në këtë mënyrë, ka sjell në institucionin më të lartë legjislativ dhe përfaqësues të Kosovës, qindra bashkatdhetarë nga vende të ndryshme të botës.
Për dy ditë rresht, mërgimtarët janë njohur nga afër me ambientet e brendshme të këtij institucioni dhe janë takuar me përfaqësuesit e qytetarëve. Për nder të tyre, Kuvendi ka ekspozuar deklaratën origjinale të pavarësisë së Kosovës.
Sot, në ditën përmbyllëse të aktivitetit, në një takim të veçantë, bashkatdhetarët i ka pritur edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili ka çmuar lart kontributin e tyre, si në ruajtjen e ekzistencës së shumë familjeve të Kosovës, ashtu edhe në çlirimin dhe pavarësinë e vendit.
Bashkatdhetarët, nga ana e tyre, kanë shprehur emocione të veçanta për mundësinë që iu ofrua atyre të shohin nga afër mënyrën e funksionimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Aktiviteti i ditëve të dyerve të hapura të Kuvendit për bashkatdhetarët, do të jetë i përvitshëm.