DYLON

Hapja e deponisë sanitare në Velekincë për qytetarët, një hap që duhet mirëpritur në Gjilan

Hapja e deponisë sanitare në Velekincë për qytetarët, një hap që duhet mirëpritur në Gjilan
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Bashkim Isufi

Hapja e deponisë sanitare në Velekincë për pranimin e mbeturinave nga qytetarët paraqet një hap të rëndësishëm në ndryshimin e qasjes ndaj menaxhimit të mbeturinave.

EkoHigjiena

Edhe pse ditëve të fundit janë shfaqur reagime të ndryshme lidhur me hapjen e deponisë sanitare në Velekincë për pranimin e mbeturinave nga qytetarët, është e rëndësishme të theksohet se kjo paraqet një qasje të re në menaxhimin e mbeturinave, e cila synon krijimin e një sistemi më të organizuar, më të kontrolluar dhe më të përgjegjshëm.

Një nga sfidat e vazhdueshme në Komunën e Gjilanit ka qenë krijimi i deponive ilegale, veçanërisht në afërsi të deponisë sanitare në fshatin Velekincë, e cila menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK). Krijimi i këtyre deponive lidhet edhe me mungesën e mundësisë që qytetarët t’i dorëzonin mbeturinat e tyre në këtë deponi në mënyrë të ligjshme, të organizuar dhe të kontrolluar.

Hapja e deponisë sanitare në fshatin Velekincë për pranimin e mbeturinave nga qytetarët nuk duhet të shihet si shqetësim, por si një mundësi për menaxhim më të organizuar dhe më të përgjegjshëm të mbeturinave. Shqetësimet e banorëve duhet të dëgjohen dhe të trajtohen përmes komunikimit institucional, por kjo masë paraqet një hap pozitiv në parandalimin e deponive ilegale dhe mbrojtjen e mjedisit.

Po ashtu, hapja e deponisë sanitare nuk duhet të shihet si kërcënim apo barrë për qytetarët, por si pjesë e një sistemi më të organizuar të menaxhimit të mbeturinave.

Duke pasur parasysh se deponia rajonale në Velekincë nuk i shërben vetëm Komunës së Gjilanit, por edhe njëmbëdhjetë komunave të tjera, përfshirë Ferizajn, Kamenicën, Vitinë, Shtime, Shtërpcën, Kaçanikun, Novobërdën, Parteshin, Kllokotin, Ranillugun dhe Hanin e Elezit.

Sasia e mbeturinave që do të dorëzohet nga qytetarët individualë në këtë deponi është shumë e vogël në krahasim me sasinë totale të mbeturinave që transportohen dhe deponohen nga operatorët për të gjitha komunat që e shfrytëzojnë këtë deponi.

E papranueshme është që t’u lejohet operatorëve të komunave të tjera sjellja dhe deponimi i mbeturinave në këtë deponi, ndërsa qytetarëve të Komunës së Gjilanit t’u mohohet mundësia për t’i dorëzuar mbeturinat e tyre në mënyrë të ligjshme dhe të kontrolluar, siç ka ndodhur më parë.

Prandaj, krijimi i kësaj mundësie për qytetarët e Gjilanit duhet të shihet si një masë parandaluese dhe një kontribut në mbrojtjen e mjedisit. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.