Hapet zyra e policisë në Stacionin e Autobusëve në Gjilan, konfirmohen edhe investimet tjera në të ardhmen

Hapet zyra e policisë në Stacionin e Autobusëve në Gjilan, konfirmohen edhe investimet tjera në të ardhmen

Në kuadër të bashkëpunimit që ka Komuna e Gjilanit me Policinë e Kosovës, sot në Ndërmarrjen Komunale “Stacioni i Autobusëve” është bërë hapja e zyrës për prezencën e policisë, me qëllim të rritjes së sigurisë publike, kujdesit ndaj udhëtarëve dhe operatorëve.

“Është ndërmarrje në të cilën marrin shërbimet e tyre 15 mijë udhëtarë brenda ditës dhe prezenca e policisë është e domosdoshme. Gjithashtu, nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi udhëzimi administrative i cili sanksionon ndaljet e autobusëve dhe operatorëve të tjerë në vende të paautorizuara dhe gjobat mandatore janë shumë të larta, për çka apelojmë operatorët që të jenë vigjilent dhe të zbatojnë ligjin dhe rregullat e komunikacionit”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në ceremoninë e hapjes së kësaj zyreje.

Haziri ka konfirmuar se në ndërmarrjen publike “Stacioni i Autobusëve”, do të vazhdohet me investime dhe njëkohësisht tha se pret certifikimin e stacionit sipas udhëzimeve ligjore.

“Investimet kanë të bëjnë me infrastrukturën e terrenit dhe objektit në mënyrë që të gjitha llojet e transporteve që kërkohen të jenë të koordinuara edhe me stacionet tjera. Gjithashtu, PK do të ndërmarrë masat e nevojshme dhe nuk do të ketë as ndalje apo parkim të paautorizuar në territorin e komunës së Gjilanit, në mënyrë që stacioni të jetë në funksion të mbarëvajtjes së detyrave të veta ligjore që ka”, theksoi kryetari Haziri.

Alban Ramushi, kompandant i Stacionit Policor në Gjilan, ka falënderuar kryetarin e Komunës për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i ka dhënë policisë që të jetë më afër qytetarëve sikur në rastin e sotëm ku fluksi i tyre brenda ditës është shumë i madh.

“Lusim të gjithë operatorët që t’i përmbahen rregullave të Stacionit të Autobusëve dhe njëkohësisht të zbatojnë edhe udhëzimin administrativ për qarkullimin në komunikacion, që ka hyrë në fuqi nga data 1 nëntor 2018, sepse në të kundërtën duhet të veprohet në përputhje me këtë udhëzim”, ka potencuar ai.

Kurse nga ana e tij, Avni Hajrullahu, kryeshef ekzekutiv i Stacionit të Autobusëve, ka thënë se është një element pozitiv hapja e zyrës për Policinë e Kosovës në shërbim të qytetarëve, operatorëve dhe vetë këtij institucioni.

KOMENTE