Hapet ekspozita “Reflektimi” me punime të nxënësve të shkollës së mesme të artit pamor

Hapet ekspozita “Reflektimi” me punime të nxënësve të shkollës së mesme të artit pamor

Në Galerinë e qytetit në Gjilan, para një numri të madh artdashësish, është hapur ekspozita “Reflektimi” me punime të nxënësve të shkollës së mesme të artit pamor “Adem Kastrati” në Gjilan.

Drejtori i shkollës Roland Masurica ka thënë se me këtë aktivitet shkolla ka si qëllim reflektimin e shkathtësive profesionale të nxënësve.

“Shkolla jonë si shkollë profesionale ka arritur suksese të mëdha brenda dhe jashtë shtetit. Ndër aktivitetet më të spikatura janë ‘Bienalja e arkitekturës’ në Venecia që është një aktivitet i rrallë, ekspozita në Parlamentin Evropian në Strasburg, ekspozita në ambiente të ambasadës së Republikës së Kosovës në Bern dhe sfilata e modës” , ka thënë Masurica duke shtuar se shkolla e artit pamor deri në fund të vitit shkollor do të vazhdoj edhe me aktivitete të tjera, duke veçuar revistën për art, për të cilën është duke u punuar prej disa muajsh.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazim Gagica ka thënë se ndihet krenar me të arriturat e nxënësve.

“Gjilani njihet si qytet i artit, i shkencës dhe matematikës me çka nxënësit tanë po na bëjnë krenar me paraqitjet e tyre në mjediset kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka pohuar Gagica duke shtuar se Drejtoria Komunale e Arsimit do të vazhdojë me përpjekjet për ta ndihmuar këtë shkollë dhe nxënësit e saj.

Sipas tij, në një rast tjetër, këta nxënës do të ekspozojnë në një Galeri tjetër, me kushte shumë më të mira se kjo aktualja.

Para hapjes së ekspozitës, përfaqësues të Fondacionit “Ibrahim Kodra” dhe konsullatës së Kosovës në Milano, kanë ndarë mirënjohje për nxënësit që kanë marrë pjesë në aktivitetet të përmendura më sipër.

KOMENTE