(2LONLINE) – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu së bashku edhe me përfaqësuesit ekzekutiv të Kompanisë Regjionale të Ujit “Hidromorava”, sot kanë testuar pusin e hapur prapa Kazermës së FSK-së në Gjilan, që së bashku edhe me pusin e hapur në livadhet e Koretishtës do të ngritin kapacitetet e furnizimit me ujë për qytetarët tanë.
Me këtë rast nënkryetari Kadriu ka thënë se Komuna e Gjilanit është duke punuar intensivisht në mënyrë që qytetarët tanë të furnizohen mjaftueshëm me ujë të pijes, kemi hapur puse në këto dy lokacione dhe do të vazhdojmë kështu edhe në lokacione të tjera që i kemi identifikuar bashkërisht.
“Sot jemi në testimin e burimeve alternative të ujit, pra jemi në testimin e pusit në lokacionin prapa Kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, që është një fat i madh për neve, sepse kemi hasur në një burim jashtëzakonisht të mirë të ujit. Kemi lajme të mira për qytetarë, ngase kemi një sasi të ujit 7 litra në sekondë, që është duke u stabilizuar ky burim i ujit dhe planifikojmë që me kompaninë këtyre ditëve të bëjmë projektin për kyçjen e këtij uji në sistemin e ujësjellësit. Pra së shpejti do ti kemi aktiv puset nga dy lokacionet atij në livadhet e Koretishtës dhe pusit të hapur këtu”, ka thënë Kadriu.
Ai ka informuar qytetarët se Komuna e Gjilanit është në hulumtimin edhe të burimeve të tjera, siç është lokacioni në “Fidanishte”, që këtyre ditëve edhe atje do të hapim një pus dhe do të bëjmë testimin. Gjendjen të cilën e kemi sot në dy lagje më të ndjeshme si në “Dheun e Bardhë” dhe në lagjen “Dardania”, do të përmirësohen nga muaji i ardhshëm.
Ndërsa Mumin Morina nga KRU “Hidromorava”, ka thënë se kompania me kapacitetet e veta dhe me mbështetjen shumë të madhe të Komunës, do të vazhdoj punën pa u ndalur në mënyrë që qytetarëve t’u sigurojmë ujë të pijes. Dy lokacionet e testuara janë një mbështetje e mirë në furnizimin e qytetarëve me ujë. Gjendja nga burimet e mëparshme nuk ka ndryshuar si në Pendën e Përlepnicës, “Bajës”, dhe Velekincës, por do të vazhdojmë me punë duke qenë përherë në shërbim të qytetarëve.
Bashkërisht është apeluar tek qytetarët që shpenzimi i ujit të bëhet me kontroll të shtuar, sepse nevojat e Komunës së Gjilanit janë ende nën gjysmën e kërkesës që ka Gjilani. /2lonline/