Hapet çerdhja “Filizat” në Koretin
Hapet çerdhja “Filizat” në Koretin të Kamenicës. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, Nënkryetarja Arta Bajralija, Drejtori i Arsimit, Selami Klaiqi, zyrtarë nga kjo drejtori, stafi i çerdhes, prindër dhe fëmijë.
Drejtoresha e çerdhes “Filizat”, Merita Keqmezi, duke iu uruar mirëseardhje të pranishmëve, tha se hapja e këtij institucioni shënon një ditë të veçantë për të gjithë komunitetin.
“Sot është një ditë e veçantë dhe shumë e rëndësishme për ne sepse po hapim dyert e kësaj çerdheje një hapësirë ku fëmijët do të rriten, do të mësojnë, do të luajnë dhe mbi të gjitha, do të ndihen të sigurt. Kjo çerdhe është një investim për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të komunitetit tone dhe një ndër prioritetet kryesore të institucionit përveç edukimit është edhe ushqyerja e shëndetshme. Një fëmijëri e shëndetshme fillon edhe nga ushqyerja e shëndetshme dhe ne do t’i kushtojmë rëndësi të veçantë kësaj çështjeje. Ndihem e privilegjuar ta udhëheq këtë institucion dhe së bashku me stafin, do të punojmë duke i vendosur fëmijët në qendër të çdo aktiviteti tonë. Të dashur fëmijë uroj që këtu të krijoni shumë kujtime të bukura, të rriteni të lumtur dhe të ndiheni gjithmonë të sigurt”, ka thënë ajo.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, tha se investimet në arsim dhe në mirëqenien e fëmijëve janë ndër projektet që e përmbushin më së shumti punën e një institucioni.
“Ndihem shumë i lumtur që sot jam në mesin tuaj, në një objekt të ri, model dhe me standarde bashkëkohore. Komuna jonë investon në shumë fusha të ndryshme si në rrugë, ndriçim, trotuare dhe shumë projekte të tjera, por ajo që na përmbush më së shumti janë investimet në arsim. Ky objekt ku jemi sot është një nga gëzimet tona. Ajo që na përmbush është kur investojmë në të ardhmen e fëmijëve tanë, kur prindërit janë të kënaqur dhe kur fëmijët brenda institucioneve trajtohen në mënyrë të barabartë. Sot është një ditë e rëndësishme, sepse pas më shumë se katër dekadash Komuna e Kamenicës po funksionalizon çerdhen e dytë, një institucion kaq të domosdoshëm për familjet tona”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Ai bëri të ditur se edhe në çerdhen “Filizat” do të zbatohen politika që lidhen me kujdesin dhe mirëqenien e fëmijëve.
“Ashtu si në çerdhen e Kamenicës, edhe këtu do të kujdesemi për ushqimin e shëndetshëm dhe sigurinë e fëmijëve. Prandaj, prindërit kanë edhe më shumë arsye t’ua besojnë fëmijët edukatoreve dhe stafit të këtij institucioni. Uroj të ketë gjithmonë këso zhurme në çerdhe sepse kjo është zhurma që na pëlqen të gjithëve. Janë zërat e fëmijëve tanë dhe uroj që ata të rriten të shëndetshëm, të lumtur dhe me shumë gëzim”, ka theksuar Kryetari Rahimaj.
Ndërkaq drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Selami Klaiqi, tha se hapja e çerdhes “Filizat” është një tjetër dëshmi e përkushtimit institucional për krijimin e kushteve sa më të mira për fëmijët dhe familjet e Komunës së Kamenicës.
“Hapja e kësaj çerdheje është një investim i drejtpërdrejtë në fëmijët tanë dhe në të ardhmen e tyre. Për ne, arsimi dhe edukimi fillojnë që në moshërat më të hershme, prandaj krijimi i hapësirave të sigurta, moderne dhe të përshtatshme për fëmijët është një përgjegjësi dhe një prioritet i yni”, ka thënë Drejtori Klaiqi. Ai u shpreh se Drejtoria e Arsimit do të vazhdojë të mbështesë institucionet parashkollore dhe stafin e tyre me qëllim që fëmijët të kenë kujdes, edukim dhe trajtim cilësor.
Çerdhja “Filizat” në Koretin do të ofrojë një hapësirë të re dhe të përshtatshme për fëmijët e kësaj ane, duke u krijuar atyre mundësi për edukim, socializim dhe zhvillim në një ambient të sigurt dhe të përshtatshëm. /2LONLINE/
