Hapen sot solemnisht veprimtaritë e edicionit të 17-të, të manifestimit dymujorë, “Vjeshta letrare e Gjilanit”
Kalendari i “Vjeshtës letrare të Gjilanit”, nis e shpaloset që nga sot, më 17 tetor 2026, ora 12:00, në Bibliotekën e qytetit “Fan S. Noli”, në Gjilan.
Veprimtaria e parë e këtij kalendari të dendur veprimtarishë, do të jetë shënimi i 80 vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe studiuesit të rryer të letërsisë sonë, Anton Nikë Berishës, autor i shumë botimeve letrare në poezi, në prozë si dhe shkrime kritike e studime letrare, i cili njëkohësisht vite më parë është nderuar me Çmimin letrar nga Komuna e Gjilanit dhe Ars Clubi “Beqir Musliu” dhe njihet si një mbështetës i madh i veprimtarive letrare në Gjilan e në krahinën e Anamoravës.
Për portretin e tij letrar dhe personalitetin krijues e studimor të prof dr. Anton Nikë Berishës, si dhkontributet tjera letrare të këtij punëtori të palodhur të shkencës e letërsisë shqipe, do të flasin, shkrimtari e studiuesi nga Tirana, Llesh Ndoj, shkrimtari e studiuesi i njohur nga Klina, Prend Buzhala, romansieri i mirënjohur yni edhe në përmasa ndërkombëtare, Ibrahim Kadriu si dhe drejtuesi i Ars Clubit “Beqir Musliu”, shkrimtari Sabit Rrustemi.
Në veprimtarinë e parë solemne të këtij edicioni që do të drejtohet nga poetja e re dhe studiuese e letërsisë, Blinerë Hajdari, magjistre e letërsisë, do të deklamohen dhe poezi të reja të këtij autori nga anëtaret e Ars Clubit, Linditë Dushku, Liridonë Mehmeti e Donjetë Kryeziu.
Kurse auditorit të pranishëm në sallën e konferencave në Bibliotekën e qytetit, “Fan S. Noli” , do t’iu drejtohet dhe vetë prof Berisha.
Kurt Rexha
