DYLON

Hamza: Nuk ka koalicion me Vetëvendosjen, do të punojmë që t’ju japim qytetarëve qeverinë për të cilën kanë votuar shumica shqiptare

Hamza: Nuk ka koalicion me Vetëvendosjen, do të punojmë që t’ju japim qytetarëve qeverinë për të cilën kanë votuar shumica shqiptare
Avatar photo Redaksia

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Kryeministër, Bedri Hamza, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhjet e djeshme, duke vlerësuar se ato u zhvilluan në një frymë të rregullt dhe demokratike.

“Sjellja e qytetarëve ishte shembullore. I falënderoj të gjitha partitë politike që garuan dhe i uroj për rezultatet e tyre. Një mirënjohje e veçantë shkon për ekipin tim, strukturat e PDK-së dhe të gjithë aktivistët tanë që punuan për këtë rezultat,” deklaroi Hamza.

EkoHigjiena

Duke analizuar rezultatet, Hamza theksoi se vota e qytetarëve e ka ndryshuar rrjedhën politike në Kosovë.

“Lëvizja Vetëvendosje ka humbur një numër të madh të votave. Shumë qytetarë që e kishin votuar në të kaluarën, tashmë ia kanë kthyer shpinën. Ata erdhën kryesisht tek ne në PDK. Kryeministri në detyrë i paraqiti këto zgjedhje si një referendum për veten dhe qeverinë e tij. Por, qëllimi i tij nuk u arrit. Ai i kërkoi 500 mijë vota. Por, nuk i mori. Nuk ia dhanë qytetarët. Sot, shumica e qytetarëve shqiptarë që votuan, nuk duan që e njëjta qeveri të vazhdojë. Qytetarët me vullnetin e tyre politik i kanë besuar opozitës, prandaj në këto zgjedhje kanë fuqizuar partitë opozitare. Kjo më obligon mua dhe PDK si partia më e madhe opozitare që të sillemi në mënyrë të përgjegjshme për ta respektuar vullnetin e shumicës shqiptare për ndryshim” ka thënë Hamza.

Hamza u shpreh se qytetarët e kanë fuqizuar opozitën, duke dëshmuar se duan ndryshim.

“Si partia më e madhe opozitare, PDK do të sillet me përgjegjësi për të respektuar vullnetin e shumicës shqiptare për ndryshim. Ne nuk do të hyjmë në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Kemi dallime të mëdha. Ata duan pushtet absolut, nuk kanë program dhe nuk u ballafaquan gjatë fushatës. Ata i ofenduan kundërshtarët politikë dhe qytetarët. Ata nxitën urrejtje, kurse ne bashkimin dhe bashkëpunimin” tha Hamza.

Duke folur për krijimin e qeverisë së ardhshme, ai theksoi se procedurat janë të qarta dhe se PDK do të ndjekë rrugën kushtetuese për realizimin e vullnetit qytetar.

“Partisë së parë i takon ta provojë krijimin e institucioneve. Nëse nuk mundet, opozita si fituese e këtyre zgjedhjeve mund ta formojë qeverinë e re. Ne do të punojmë që qytetarëve të ju japim qeverinë për të cilën ata kanë votuar, duke e mbajtur premtimin tonë për ta bërë Kosovën më të mirë”, përfundoi ai. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.