/2L ONLINE/ – Lëvizja Qytetare “Vatra”, ndonëse një subjekt që radhitet tek ato të vogla, megjithatë duket se në të ndodhin gjëra të mëdha. Vite më parë ishte bërë një ndarje bukur e mirë, e strukturave që drejtonin këtë Lëvizje, pas mosmarrëveshjeve që kishin, duke bërë që Vatra në një periudhë të identifikohej edhe me dy kryetarë e kryesi, që secila pretendonte se e drejta është në anën e tyre. Kaloi kjo fazë e pastaj Vatrës zunë e i ikën edhe disa prej figurave me të cilat edhe identifikoj kjo Lëvizje edhe sa ishte si shoqatë, e atë së fundi e braktisi edhe ish kryetari dhe aktualisht anëtari i Kuvendit Sejdulla Kadriu, duke e lënë kështu të papërfaqësuar në kuvend. Po ashtu, ditë më parë është shkarkuar edhe Koordinatori i Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kuadër i kësaj Lëvizje për t’u emëruar një tjetër, dhe tani së fundi atje po “vlon” sërish, pasi vetëm brenda këtyre dy ditëve kemi shkarkime e përjashtime të njëri-tjetrit, varësisht prej palëve.
Gani Krasniqi, nënkryetar i Lëvizjes Vatra, ka bërë sot të ditur për Portalin 2LONLINE, se kryesia e Lëvizjes Vatra të premten kishte mbajtur një takim ku nga 19 anëtar aktiv të kryesisë, morën pjesë 13 dhe ku u morën vendime me rëndësi. Krasniqi ka thënë se në njërën nga pikat e rendit të ditës u shqyrtua edhe shkarkimi i Ibrahim Maliqit nga pozita e koordinatorit të Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, dhe emërimi i Gentiana Shabanit në atë pozitë, që është bërë pa miratimin e kryesisë, dhe u vendos që për këtë të njoftohet dhe të kërkohet nga kreu i komunës që të shkarkojë Shabanin dhe ta rikthejë në atë pozitë Maliqin.
Krasniqi ka thënë se këto manipulime i kanë bërë kokë në vete Gentiana Shabani e Kushtrim Kadriu, dhe se nuk ka qenë kërkesë e as vendim i kryesisë andaj kjo duhet të korrigjohet, ndërsa lidhur për këto, që ai i quajti keqpërdorime, po ashtu është vendosur që Gentiana Shabani të shkarkohet nga pozita e kryetares së Vatrës, derisa Kushtrim Kadriu të përjashtohet krejtësisht nga Vatra . Bile ky i fundit u fajësua që me “marifetet’ e tij, ka bërë që në Vatër të ketë telashe përherë dhe nga ajo të largohen figura të rëndësishme, siç janë edhe tre të fundit Hajrush Ramadani, Sejdulla Kadriu e Ismet Tafili.
Krasniqi tha se kryesia ka vendosur për këtë, në takimin e të premtes dhe vlerëson se e ka pas këtë të drejtë, duke iu përgjigjur kështu pyetjes së 2L ONLINE, se kush ka të drejtë të shkarkojë apo përjashtojë dikë, cili organ.
Portali 2L ONLINE, ka kontaktuar edhe me Kushtrim Kadriun dhe Gentiana Shabanin, nga të cilët është thënë se kryesia nuk e ka një të drejtë të tillë, por janë organet tjera dhe se po ashtu kanë akuzuar nënkryetarin Gani Krasniqi për shkelje statutare dhe për manipulime, por duke shtuar se një përgjigje më të plotë, do ta japin brenda ditës pasi parashohin që sot urgjentisht ta mbledhin Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Qytetare “Vatra” për të analizuar situatën e krijuar .
Dhe tani vonë, në adresë të 2L ONLINE, ka ardhur edhe deklarata e kësaj Lëvizje të cilën po e japim të plotë si më poshtë:
DEKLARATË
Këshilli i Përgjithshëm i”Vatrës’ jep përkrahje të fuqishme kryetares Gentiana Shabanit dhe bënë ndryshime në strukturën drejtuese.
Sot, Kryetarja e Lëvizjes Qytetare Vatra, znj. Gentiana Shabani në bazë të nenit 18.7 të statutit të LQV-së thirri në një mbledhje të jashtëzakonshme këshillin drejtues, ku nga 51 të pranishëm 36 anëtarë ishin anëtarë të këshillit drejtues ku si pika të rendit të ditës ishin :
1. Përjashtimi i Gani Krasniqit për shkelje statutare, për sjellje prej axhamiu, dhe për tentim puqi ndaj kryesisë dhe kryetares së LQV-së.
2. Përjashtimi i Ibrahim Maliqit për këto arsye: shkelje e rëndë statutare, sabotim të aktivitetit të LQV-së, mos punë në zyrën për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, ku për 9 muaj sa qëndroi në krye të kësaj zyre nuk bëri as edhe një aktivitet të vetëm, e shndërroi atë zyre në shërbim të një subjekti politik të Bujanocit së cilën ai e përfaqëson edhe si anëtarë i Këshillit Komunal të Bujanocit.
Nga anëtarët e pranishëm të Këshillit Drejtues u vendos në mënyrë unanime që të shkarkohen këta persona dhe njëkohësisht i zëvendësoi ata me anëtarë të rinj.
Këshilli i Përgjithshëm i dha përkrahje të fuqishme kryetares Shabani në LQV si kryetare dhe në ZPBM si zyrtare e saj, po ashtu ka plotësuar kryesinë me anëtarë të rinj në vendet të cilat kanë qenë të lira për kryesi.
Kryesia e LQV-së numëron 25 anëtarë të kryesisë, kurse për forumin e Gruas dhe forumin e Rinisë i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Dhe në fund LQV njofton sa në qoftë se emrat e lartpërmendur thirren në emër të LQV-së, atëherë ata do të ndiqen penalisht. /2L ONLINE/