Haliti: Zhgënjyese që lidhja e Vitisë në autostradë po zvarritet!

Haliti: Zhgënjyese që lidhja e Vitisë në autostradë po zvarritet!

Komuna e Vitisë, është e indinjuar që lidhja e kësaj komune në Autostradën “Arbën Xhaferi”, nuk po merr epilog. Projekti nuk është përfshirë në Kornizën Afatmesme Buxhetore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Vendimi për realizimin e këtij projekti ishte marrë nga Qeveria Mustafa dhe pastaj edhe nga Qeveria Haradinaj, i cili parashihte dy lidhje të reja: njëra për Ferizajn dhe tjetra për Vitinë. Mirëpo, para një viti, këtë vendim e anuloi Qeveria Kurti, me një vendim të ri, duke lënë pa qasje në autostradë rreth 60,000 banorë të Komunës së Vitisë dhe me mijëra biznese që operojnë në këtë komunë.

Jemi të zhgënjyer që kërkesat e banorëve të Komunës së Vitisë po anashkalohen. Është nevojë dhe e drejtë legjitime e tyre që të lidhen me këtë aks të rëndësishëm rrugor, në pikën më të afërt, në fshatin Gërlicë.

Kjo është e pandershme ndaj tyre, pasi ky projekt do të lehtësonte qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe do të ndikonte direkt në zhvillimin ekonomik. Përndryshe, lidhja në këtë rrugë ndërkombëtare aktualisht ka kosto financiare për secilin qytetar dhe biznes të kësaj komune. Përpjekjet dhe angazhimet tona të përbashkëta për t`i dhënë fund këtij “tregimi” të gjatë, kanë qenë të vazhdueshme, në bashkëpunim me subjektet politike, bizneset, mediat dhe shoqërinë civile. Për më tepër, Kuvendi Komunal i Komunës së Vitisë, këtë e ka kërkuar edhe përmes një deklarate të përbashkët, të miratuar në një seancë të jashtëzakonshme.

Ndryshe, nuk jemi të kënaqur me qasjen e deputetëve të zonës në Kuvendin e Kosovës, sa i përket kësaj teme. Këtë çështje, së fundmi, e kam ngritur edhe në Asociacionin e Komunave të Kosovës, e më herët edhe në takime me organet dhe përgjegjësit në nivelin qendror të qeverisjes. Nuk di çka mendon Qeveria Kurti, mirëpo mua si kryetar i komunës më intereson që të ndërtohet kyçja në Gërlicë. Presim që kjo çështje të mos zvarritet, sepse këtë banorët po e presin tash e një kohë të gjatë.

Gjithashtu është e pakuptimtë qasje e qeverisë Kurti që në takimet për qasjen e komunës sonë në këtë autostradë të mos jetë i pranishëm asnjë nga përfaqësuesit të institucioneve komunale të Vitisë. Kërkojmë me ngulm që projekti për lidhjen e Komunës së Vitisë me Autostradën “Arbën Xhaferi”, në Gërlicë, të marrë epilog me rishikimin e buxhetit. Ndryshe, vitiasit janë të pakënaqur dhe zemërimi i tyre po rritet.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti

KOMENTE