Haliti përkujton vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti me rastin e 33 vjetorit të vrasjes së vëllëzërve Gërvalla e Kadri Zeka ka shkruar se vrasja e tyre ishte humbje e madhe për Lëvizjen Kombëtare.
Lexoni postimin e plotë të Xhavit Halitit në ‘Facebook”:
Humbja e pakompensueshme e Lëvizjes
33 vjet më parë, më 17 janar 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, UDB-ja vrau tinëzisht atdhetarët e shquar, ideologët e bashkimit të të gjitha grupeve dhe organizatave politike shqiptare, kundërshtarë të shypjes dhe dhunës që po ushtrohej mbi shqiptarët e mbetur padrejtësisht nën shtetin jugosllav, në një Lëvizje të përbashkët, Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka.
Vrasja e tyre ishte humbje e madhe për Lëvizjen Kombëtare, në veçanti ajo paraqet humbjen dhe një nga goditjet më të rënda që i janë shkaktuar përpjekjeve të parreshtura të saj për lirinë e Kosovës. Prandaj dhembja ishte e madhe, si për familjet ashtu dhe për bashkëveprimtarët e tyre, ndërsa humbja e pakompensueshme.
Koha e dëshmoi fare qartë se sa vite përpjekje dhe sakrifica u deshën pas vrasjes së Jusufit, Kadriut e Bardhit, që ta rimarrim vetën, të organizohemi dhe riorganizohemi, që, së fundi, nëpërmjet luftës së armatosur çlirimtare të popullit tonë të përmasave kombëtare, të prirë nga UÇK dhe mbështetur nga miqtë dhe partnerët ndëkombëtar, ta fitojmë lirinë dhe jetësojmë Republikën, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur e sovran, të njohur gjer më tani nga mbi 100 shtete të botës.
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe nderimi i përpjekjeve dhe flijimit të heronjve Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka!
