Halit Hasani nga Pogragja-Hoxha që ra dëshmorë për Shqipëri të Bashkuar
/2L ONLINE/ – Halit Hasani u lind në vitin 1901 në fshatin Pogragjë të Gjilanit. Si fëmijë u edukua dhe u arsimua në frymën kombëtare. Mësimet e para i mori në mejtepin e fshatit nën drejtimin e hoxhës-mësuesit atdhetar, Sali Salihu, ndërsa medresenë e kreu në fshatin Dobërçan të Gjilanit. Pas ripushtimit të Kosovës nga Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene, Haliti u angazhua në aktivitetin e Lëvizjes Kaçake në trevat e Karadakut, që si bashkëpunëtor i saj dhe i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, strehonte dhe ndihmonte veprimtarët e tyre kundër zbulimit e dënimit prej organeve ushtarake dhe policore të pushtetit serbo-jugosllav. Ai bashkëpunoi edhe me organizatën “Xhemijeti” (“Bashkimi”). Si predikues i fesë në xhaminë e fshatit dhe mësues i dhjetëra nxënësve në mejtep, të cilët vinin edhe nga disa fshatra të rrethinës, ai, përpos ligjëratave fetare-shpirtërore, shpeshherë gjente kohë edhe për fjalime e mësime në frymën kombëtare. Duke ju shpjeguar rëndësinë e qëndrimit në atdhe banorëve të fshatrave përreth, Haliti kontribuoi në pengimin e fenomenit dhe procesit të emigrimit të shqiptarëve nga këto treva në drejtim të Turqisë. Pas pushtimit të Kosovës nga Gjermania, Italia dhe Bullgaria më 1941, ai arriti t’u bënte ballë presioneve, shtypjes së vazhdueshme, dhunës, arrestimeve dhe masave të bullgarizimit që pushteti bullgar ushtronte ndaj shqiptarëve të viseve të Karadakut gjatë viteve 1941-1944. Pas kapitullimit të Bullgarisë fashiste, më 9 shtator 1944, për të mbrojtur kufirin nga depërtimi i njësiteve partizane të Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë (UNÇJ), përgjatë hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë filloi mobilizimi i vullnetarëve nga Lugina e Preshevës, Kumanova e Gjilani me viset përreth dhe u caktuan komandat e zonave mbrojtëse. Haliti, si pjesëtar i forcave nacionaliste dhe vullnetare të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me kërkesën e Komitetit Qendror të saj, u bëri thirrje dhe organizoi shumë vullnetarë shqiptarë të fshatrave të rrethinës për t’u nisur drejt vijës së frontit në Preshevë përkatësisht në sektorin Corroticë-Raincë. Për këtë çështje ai mbante kontakte me drejtuesit e Anamoravës si: Xheladin Kurabliu, Hysen Tërpeza, Ramiz Cërnica, Mulla Idriz Gjilani, Hoxhë Lipovica etj. Si personalitet i orientuar dhe rreshtuar në grupin e forcave nacionaliste-kombëtare shqiptare të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që në ditën e Festës së Bajramit, më 19 shtator 1944, gjatë ceremonisë së lutjeve, para masës së tubuar deklaroi: “Vëllezër, ditën e Bajramit do ta festojmë në Raincë dhe me armë në dorë do ta mbrojmë atdheun tonë, Kosovën”. Kështu, autoriteti i tij reflektoi në mobilizimin e dhjetëra vullnetarëve nga fshatrat e Karadakut dhe të Anamoravës, të cilët si më parë dhe po atë ditë, u nisën në Frontin e Preshevës në mbrojtje të kufirit të Kosovës Lindore. Gjatë luftimeve të zhvilluara po atë ditë, më 19 shtator 1944, në mbrojtje të kufirit shqiptar kundër njësiteve partizane të UNÇJ-së, përkatësisht Brigadave VIII dhe XII, Haliti ra duke luftuar në lumin e fshatit Raincë të Preshevës. Në këtë luftë, e cila zgjati dy ditë, forcat vullnetare shqiptare arritën fitore, ku njësiteve partizane e çetnike të UNÇJ-së i shkaktuan qindra të vrarë, të plagosur e të zënë robër. /2L ONLINE/
Me propozimin e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” – dega në Gjilan, për nder të veprës së tij patriotike, Presidentja e Republikës së Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe në përputhje me procedurat përkatëse, më 19 shkurt 2016, e dekoroi Halit Hasanin me medaljen “URDHRI I LIRISË”.




