Në bazë të kërkesës së Prokurorisë publike, gjykata për kundërvajtje në Vranjë e ka ftuar kryetarin e PVD – së dhe Deputetin popullorë Riza Halimi në procedurë të marrjes në pyetje për datën 11.09.2015 lidhur me përdorimin e simbolit kombëtarë në objektin e degës së PVD – së në Bujanoc gjatë shënimit të festës kombëtare, festës së flamurit më 28.11.2014.
“Meqenëse ftesa dhe kërkesa për inicimin e kësaj procedure ndaj Partisë për Veprim Demokratik si subjekt juridik dhe kryetarit të saj si person përgjegjës janë shkruar vetëm në gjuhën serbe, kryetari i PVD – së z.Riza Halimi e ka njoftuar Gjykatën përkatëse se nuk do të merr pjesë në këtë seancë sepse nuk është respektuar neni 11 i Ligjit për zbatimin zyrtarë të gjuhëve dhe shkrimeve”, thuhet në njoftimin e kryetarit të PVD-së dhe deputetit popullor shqiptar, transmeton Titulli.com.
Duhet theksuar se procedura të ngjashme janë ngritur edhe ndaj drejtuesve tjerë institucional e politik të Luginës së Preshevës.