DYLON

Halil Alidema veprimtar shumë dimensional për lirinë e atdheut (Pjesa e parë)

Halil Alidema veprimtar shumë dimensional për lirinë e atdheut (Pjesa e parë)
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Sami Arifi

Halil Alidema u lind, më 15 mars 1936, në fshatin Pozheran-komuna e Vitisë, nga babë Behxheti dhe nënë Mirzadja.

EkoHigjiena

Babai i Halilit, Bexheti ishte vetë i katërti vëlla: Jonuzin, Bejtën dhe Izetin. Halili ende pa u rritur pa masakrën e gjenocidin partizano-çetnik të serbëve ndaj burrave të Pozheranit dhe tragjedinë familjare, kur nëna Hanë, gjyshja e Halilit, mbeti pa katër djemtë e saj, pra ajo jetojë me nipa e mbesa. Partizano-çetnikët serbë ia vranë dy djemtë: Bexhetin dhe Jonuzin, ndërsa Bejta e Izeti nën udhëheqjen e atdhetarit Hysen Tërpeza, emigruan përmes Greqi, në Turqi dhe në Gjermani.

Bexheti la prapa 5 djem: Sokolin, Sadullahun, Halilin, Zejnullahun dhe Zeqirin dhe 3 vajza: Merrushen, Nazlien dhe Bylën. Për familje u kujdes nëna Mirzadja e gjyshja Hana, por barra e kryefamiljarit i ra mbi kokë vëllait të madh Halilit, Sokolit, i cili ishte 13 vjeç kur partizano-çetnikët ia vranë babanë.

Sokoli, si kujdestar i familjes luajti rolin e babait-Behxhetit, ai i shkollojë të gjithë vëllezërit, djemtë e nipat. Sokoli, pas Luftës së Dytë Botërore (LDB) e regjistrojë vëllain e tij Halilin në shkollën fillore të fshatit të lindjes së tij, në Pozheran. Halili ishte i zgjuar dhe kureshtar për gjithçka, me interesim të madh i ndoqi mësimet e para te mësuesit e parë shqiptarë. Halili qysh si i ri e urrente padrejtësinë që i bëhej popullit shqiptar dhe atdheut të tij, nga pushtuesi serb, e cila dukuri u vërtetua shumë shpejt. Halili ishte nxënës i shkëlqyer dhe qysh në ciklin e ultë të shkollimit, ai shfaqi edhe talentin dhe prirjet për aktivitete të lira në gjimnastikë, muzikë dhe art.

Me kalimin e kohës në periudhën e rinisë, horizonti i tij i dijes vazhdimisht zgjerohej. Halilit qysh si i ri nuk i interesuan vetëm mësimit si shumë shokëve të tjerë, por ai kishte interesim për “punë më të mëdha”, ngase atë e brente brenga në shpirtin e tij çështja e pazgjidhur kombëtare. Te Halili vërehet pakënaqësia, revolta dhe një rebelim kundër sistemit pushtues të atëhershëm monist të partizanëve serbo-çetnik. Familja e tij ishte anatemuar që herët „armiqësore”. Fati i këtillë e përcjellë Halilin pothuaj gjatë gjithë jetës, gjatë shkollimit edhe gjatë shërbimit të tij si mësues.

Rrustem Berisha, e quante, Halilin, „djalosh i dëshirit“ i etshëm për dije edukim dhe arsimim, i cili mësyu shkollën e mesme. Halili në vitin 1954 u regjistrua në Shkollën Normale në Prishtinë dhe shpejt u afirmua si nxënës i dashur, i afërt, shok i sinqertë dhe besnik, që e donin dhe simpatizonin edhe profesorët e Normales-edukatorët e tij si: Jusuf Shushka, Abdullah Zajmi, Salih Nushi, Hasan Mekuli, Ali Hadri e të tjerë.

Halili nuk dallohej ndër shokët e tij në mësime, por ai shquhej për diçka tjetër, pikërisht me qëndrimin e tij burrëror, me pjekurinë e tij për “punë të mëdha”, për patriotizëm, për trimëri e guxim, për këmbëngulje e vendosmëri. Madje ai kundërshtonte haptas padrejtësitë e sistemit monist dhe shovinizmit serbo-sllav. Prandaj mësimdhënësit e tij shikonin te Halili një shtyllë të fortë në mbrojtjen e shkollës shqipe. Ai kishte emocionet e atdhedashurisë të cilat i shprehte edhe nëpërmjet sportit kur luante hendboll me kundërshtarët e nacionalitetit tjetër. Në shkollën Normale nxënësit dhe kuadri arsimorë solidarizoheshin me Halilin. Halili ishte bërë simbol i sportit kombëtar, e veçanërisht i hendbollit kosovar, si pjesëtar i ekipit hendbollistik “Normalisti”.

Halili gjatë shkollimit të mesëm, në vitet e 1957-1958, shpreh pakënaqësinë kundër sistemit titist dhe simpatinë ndaj shtetit shqiptar, prandaj me shokët e shkollës: Bardhyl Nushin, Xhemajl Lalën e Nakije Nushin tenton të kalojnë kufirin për në Shqipëri, por nuk patën sukses, meqë kapen nga UDB-ja serbe dhe arrestohen, ai vuan dënim 6 muaj burg në Gjilan dhe si djalosh “i rebeluar” dhe “i padëgjueshëm”, ai përballoi kamxhikun e pamëshirshëm të serbo-çetnikëve, armiqve të babait të tij e të popullit shqiptar.

Burgjet, torturat e ndjekjet serbo-sllave tërë jetën nuk iu ndalën, përkundër këtyre vuajtjeve, Halili, bëhet gjithnjë më i fortë e më i rrezikshëm për armikun. Për këtë rezistencë të vazhdueshme stoike, ai u bë dhe mbeti nxënësi më i dashur i gjeneratës së vet. Halili merr krah e forcë plotësohet e bëhet më i fuqishëm edhe nga përkrahja morale e shoqes së shkollës, Teuta Kryeziut, me të cilën më vonë do të lidhin kurorë të dyfishtë: kurorë jetësore dhe kurorë të idealit të lirisë e të pavarësisë.

Veprimtarinë edukativo-arsimore të Halilit me bashkëshorten e tij Teutën, pas mbarimit të Normales në Prishtinë, karrierën e tyre të mësuesisë e filluan në fshatin e largët malor, në Firajë të komunës së Shtërpcës.

Halili dhe Teuta me entuziazëm të mëdha filluan t’i arsimonin vogëlushët e shkollës së fshatit Firajë. Ata u bënë të afërt e të dashur për nxënësit e tyre, punonin pa ndërprerë tërë ditën, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje, puna edukativo-arsimore e tyre nuk kufizohej brenda katër mureve apo oborrit të shkollës, ata u bënë mësues të popullit, i cili popull në atë kohë ishte pak i arsimuar.

Halili vendoste kontakt me fshatarët, shpejt i përvetësoi ata të kenë besim të plotë në mësuesin e dashur dhe të nderuar, në aktivitete të ndryshme në infrastrukturë të fshatit si: meremetimin e rrugëve, elektrifikimin e fshatit, rregullimin e oborrit të shkollës etj, ai te fshatarët ushtronte edhe ndikim të madh politik e patriotik, të cilët iu bënë krah i fortë dhe bashkëmendimtarë në realizimin e synimeve drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës.

Po ashtu edhe mësuesja Teuta Kryeziu – Alidema, shkonte shtëpi më shtëpi dhe vendoste kontakt me vajzat e gratë fshatare të Firajës, me modestinë e fisnikërinë e saj si mësuese e zellshme, me moral e ideale të larta në rrugën e edukimit e arsimimit të femrës shqiptare, ajo përvetësoi dhe i bindi se shpëtimi ynë është arsimimi i vajzave dhe grave shqiptare, në këtë mënyrë ajo (Teuta), ato do t’i bëheshin krah burrave të tyre, pra të shkolluara dhe të arsimuara ato i shërbejnë popullit dhe atdheut.

Halili dhe Teuta më vonë vijnë në vendlindjen e Halilit, pra, në Pozheran ku punësohen si mësimdhënës në shkollën 8-vjeçare. Këtu, e gjallëruan jetën kulturore të shkollës, së fshatit dhe të rrethinës së tij; gëzonin përkrahje e respekt nga nxënësit edhe nga të gjithë banorët. Halili këtu ishte edhe më i fortë edhe më i përkrahur, kështu që ishte shembull kjo shkollë, jo vetëm për shkollat e komunës së Vitisë, por për të gjitha shkollat e rajonit të Anamoravës…

Halil Alidema veprimtar shumë dimensional për lirinë e atdheut (Pjesa e dytë)

Halil Alidema

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.