/2L ONLINE/ – “Hajt se bohet mirë!” është shprehje që më së shpeshti përdoret në përditshmërinë tonë. Po që se, të rastisë t’ia qash hallet dikujt, si ngushëllim do të pasojë përgjigjja: “Hajt se bohet mirë, veç shnosh t’jeshë!”.
Tek sa po e pija kafen në një kafiteri të qytetit, përball në tavolinën tjetër, ulen dy persona me moshë të mesme dhe dukeshin se nuk ishin takuar një kohë bashkë, pasi që pyetnin njëri tjetrin për secilin anëtarë të familjes, si është ai, si është ky…, por, ajo që më ra në sy ishte se, kur njëri person i ankohej tjetrit se nuk qëndrojnë mirë ekonomikisht, pa punë, me prindin e sëmurë, fëmijët në shkollë, e gjëra tjera, që dukej se i kishte njëqind halle, sidomos të natyrës ekonomike, bashkëbiseduesi i përgjigjej: “Hajt se bohet mirë, veç shnosh t’jeshë!”.
Kjo “Hajt se bohet mirë“ si duket na ka ndihmuar në shumë situata të vështira të jemi të bashkuar në mënyrë që të mbijetojmë si popull nëpër sfida përgjatë historisë, duke e mbajt shpresën gjallë se e nesërmja do të jetë më e mirë, pasi që në situata ku kërcënohet ekzistenca e një populli, kërkesë dhe qëllim kryesor duhet të jetë mbijetesa, ndërsa ngushëllimi “Hajt se bohet mirë!“ ka kuptim.
Për fatin tonë sot jemi shtet dhe mbijetesa nuk do të duhej të jetë qëllimi i qytetarëve. Qëllimi dhe kërkesa e tyre sot duhet të jetë mirëqenia, ekonomia, arsimi, shëndetësia.., zhvillimi i përgjithshëm në gjitha drejtimet. Pas shtatëmbëdhjetë viteve shtet, nuk do të duhej që qytetari të ngushëllohet më me “Hajt se bohet mirë!“.
Hallet e qytetarëve vazhdojnë të jenë të mëdha. Sot perspektiva për shumicën e të rinjve ka humbë, sepse e ardhmja në shtetin e tyre nuk garanton as një mundësi. Sot pushtetin e kanë në dorë njerëz qe nuk e kanë as idenë, as dijen se si duhet me iu qasë zgjidhjes së problemeve me të cilat preokupohen qytetarët, veçmas të rinjtë, ku ky shtet nuk ju ofron asnjë mundësi.
Pushteti, si ai i nivelit qendror e veçmas ai lokal, fare apo shumë pak deri më tani ka punuar në atë mënyrë që të gjejnë zgjidhje për problemet e shumta, sidomos të problemit të papunësisë. Ky problem është gjenerues i të gjithë problemeve tjera, por se nuk mundë të ketë punësime, pa një pushtet lokal të organizuar dhe profesional.
Në politikëbërjen moderne iniciativat burojnë nga pushteti lokal dhe janë projektet që i prodhon pushteti lokal, ato qe sjellin mundësi për investime qofshin ato të huaja apo vendore. Klimën pozitive dhe kushtet për investime, një qeverisje lokale duhet t’i ketë top-prioritet sepse sot është konkurrencë e madhe në tërheqjen e investimeve, andaj vetëm një qeverisje serioze e përkushtuar dhe profesionale mundë të sjellë investime, ku si rezultat i kësaj, do të krijoheshin pastaj vende të shumta pune.
Edhe pse ne përgjithësi kryetarët e komunave nuk janë treguar të suksesshëm në punën e tyre, sidoms sa i përket tërheqjes së investimeve për hapjen e vendeve të punës, megjithatë storie të suksesit aty këtu ka dhe si shembull mund të marrim kryetarin e komunës se Vitisë i cili ka arrit të sigurojë një investim për hapjen e një fabrike, ku do të punësohen rreth pesëqind veta,dhe ku për një komunë të vogël siç është Vitia do të thotë shumë. Vitia është një model i mirë se si kryetari i saj, angazhohet për qytetarin, për të krijua kushte dhe për ta zbutur shkallën e papunësisë, e cila është kërkesë kryesore e qytetarëve.
Ka kaluar koha ku problemet me të cilat përballemi t’i anashkalojmë duke u ngushëlluar me: “Hajt se bohet mirë!“. /2L ONLINE/