Hajrush Ramadani, një mësues i buzëqeshjeve dhe i dashur për të gjithë

Hajrush Ramadani, një mësues i buzëqeshjeve dhe i dashur për të gjithë

Mirënjohje pa fund për këtë pishtarë të palodhur të dijes! 45 vite punë, gjithmonë i dashur, i pranuar dhe i respektuar kudo që ka punuar, të cilit i urojnë datëlindjen e 65-të, me shëndet dhe jetë të gjatë dhe pensionimin e tij. Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Mulla Idriz Gjilani” iu falënderua shumë për punën e bërë. Gjithmonë i mirëpritur dhe i respektuar!

Shkruan: Nijazi Ramadani

Kronologjia e veprimtarisë jetësore e veteranit të arsimit Hajrush Ramadani

Hajrush Ramadani lindi më 22. shtator 1952 në fshatin Novosellë komuna e Bujanocit, nga babai Faik Ramadani dhe nëna Hanumshahe e lindur në Priboc me 23.09.1932 . Ishte fëmiu i parë në familje e Faik Ramadanit. Kreu shkollën katërvjeçare në vendlindje kurse tetëvjeçaren në fshatin Zarbicë, ku udhëtoi nga 10 km për çdo ditë. Në atë kohë ishin kushtet e vështira sepse nuk kishte infrastrukturë te rregulluar, objektet shkollore ishin të vjetra dhe të papërshtatshme për mësim.

Shkollën tetëvjeçare e përfundoi në vitin shkollor 1966/67 dhe, u regjistrua në gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë në vitin shkollor 1967/68. Gjimnazin e kreu me sukses të shkëlqyeshëm në vitin shkollor 1970/71.

Si nxënës i brezit të parë që vazhdoi shkollimin e mëtutjeshëm ishte i sjellshëm, i disiplinuar, i rregullt në mësime dhe çdo herë me sukses të shkëlqyeshëm.

Pasi që përfundoi gjimnazin u regjistrova në SH.L.P grupi Fizikë-Kimi në Prishtinë në vitin shkollor 1971/72. Ende si student dhe pa i mbushur të njëzetat filloi punën me 05.09.1972 në shkollën fillore “Skënderbeu”në Zarbicë, ku punoi deri me 10.10.1999.

Shpërngulja nga vatra shekullore dhe emigrimi në Kosovë

Lufta e fundit la gjurmë të thella në të gjitha vendbanimet shqiptare te ish Jugosllavisë, që as bashkësia lokale e fshatit Zarbicë me gjashtë fshatra qe shtrihen në zonën kufitare me Vranjë nuk mbeti pa pasoja. Forcat të mëdha militare dhe paramilitare të stacionuara në këtë pjesë ushtruan pandërprerë dhe në mënyrë sistematike dhunë ndaj popullatës së pafajshme në forma të ndryshme dhe si pasojë në qershor të vitit 1999 i larguan nga shtëpitë e tyre.

Në fund të vitit shkollor 1998/99 në shkollën fillore “Skënderbeu” në Zarbincë e përfunduan vitin shkollor 300 nxënës. Në fillim të vitit shkollor nuk kishte asnjë nxënës për shkak të largimit të familjeve.

Ministria e Arsimit të Serbisë i pushoi nga puna të gjithë mësimdhënësve me arsyetim se kanë munguar pesë ditë pa arsye nga puna, gjë që nuk ishte e vërtetë. Pasi që ishte informuar se në shkollën fillore “Idriz Seferi” në Strezovc të Kamenicës ka nevojë për një arsimtar të Fizikës për 6 orë, konkurroi dhe me 1 shtator 1999 filloi punën deri me 31 gusht 2000. Në të njëjtën kohë punoi edhe në shkollën fillore “Nazim Hikmet” në Dobërçan deri me 31Gusht 2004. Prej 01.shtator 2004, kaloi në shkollën fillore “Mulla Idriz Gjilani” në Velekincë të Gjilanit, ku edhe po e përfundoI karierën e arsimtarit me 22 shtator 2017.

Pati fatin të punojë në shkolla të ndryshme me kolegë, nxënës dhe prind të ndryshëm por, me rastin e pensionimit ndihet shumë krenar që pati fatin të jetë kontribuues aktiv në edukimin e arsimimin e gjeneratave të reja dhe se, siç ka thënë me rastin e ditës së pensionimit të tij: “çdo kund jam familjarizuar dhe kam përshtypje të jashtëzakonshme nga raportet që kam pas me të gjithë”,

Në fund në falënderimin e tij, tha se: “Ka shumëçka të thuhet për një periodë të gjatë në procesin edukativo arsimor por i dhashë vetëm disa të dhëna elementare. Për 17 vite të punës pas luftës në procesin edukativo arsimor u dekorova pesë herë me mirënjohje për kontributin e dhënë në procesin edukativo-arsimor nga drejtoria e shkollës “Mulla Idris Gjilani”, DKA , zyra e kryetarit Qemajl Mustafa, si dhe e fitova shpërblimin prej 200 euro ne vitin 2011. Jam prind i katër fëmijëve, tre prej tyre kanë kryer shkollimin superior. Djali dhe vajza janë në prag të magjistrimit. Pa ndërpre kam kontribuar ne realizimin e te drejtave kombëtare ne forma te ndryshme. Nga paga ime kam ndihmuar shkollën shqipe ne Kosovë gjate viteve te 90, luftën e UÇK-ës dhe UÇPMB moralisht dhe financiarisht”.

Në lagjen ” Arbëria” të Gjilanit, ku jeton edhe sot, qytetar i respektuar nga të gjithë, ka organizuar dhe realizuar shumë projekte me vetëkontribut dhe përkrahje te pushtetit lokal si kanalizimin, ujësjellësin, trafostacionin, asfaltimin e rrugës ”Ibrahim Temo” dhe ndriçimin e disa rrugëve tjera.

Hajrush Ramadani edhe sakrifikoi për mbrojtjen e të drejtave të banorëve të dëbuar nga Lugina e Preshevës me të ndjerin Nijazi Kadriu, ish i burgosur politik, si edhe me Ismet Tafilin, Sejdullah Kadriun, dhe disa shokë e veprimtarë të tjerë themeluam shoqatën “Vatra”, që pasi kreu misionin e saj me sukses, dhe më vonë kaloi në Lëvizje që përfaqësohet në nivel rajonal për përfaqësim dhe mbrojtje të interesit të banorëve nga Lugina e Preshevë, si dhe tani ka fituar edhe një ulëse në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

KOMENTE