Hajrullahu: Shërbimet shëndetësore dhe mbështetja sociale për qytetarët e Gjilanit më e madhe se asnjëherë
/2L ONLINE/ – “Nëntë muaj të këtij viti, në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, karakterizohen me punë të shumta duke përfshirë mbështetjen e një numri të madh të familjeve nga skema sociale, pastaj përkujdesjen për sigurimin e banimit për familje me gjendje të rëndë ekonomike që është përcjellur me pagesë të qerasë, ndërtime të shtëpive, renovime etj, sikur që edhe në shëndetësinë primare është bërë punë shumë e madhe në dhënien e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët, kontrollën sistematike të nxënësve, por, edhe angazhimin e madh që bënë inspeksioni sanitar në fushën e inspektimeve”.
Kështu ka thënë në konferencën e rregullt për media drejtori i kësaj drejtorie, Nexhat Hajrullahu.
Me këtë rast, Hajrullahu ka thënë se problemi i një pjese të qytetarëve që është me mungesën e kulmit mbi kokë dhe e gjendjes së rëndë ekonomike tek një numër i madh i familjeve gjilanase, është brengë e drejtorisë dhe e Komunës në përgjithësi.
“Në Gjilan përkundër angazhimit të kryetarit Haziri që të zgjidhet problemi i banimit për familjet me gjendje të rëndë ekonomike, ne ende kemi shumë familje që kanë këtë problem. Deri më tani kemi bërë ndërtimin e 21 shtëpive, që janë relaizuar nga donatorët nga gala mbrëmja humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”, por nevojat janë të mëdha. Shpresoj në mbështetjen e mëtutjeshme të donatorëve tanë, të cilët kanë dhënë e po japin shumë për këtë kategori. Në Gjilan këtë gjendje e ka rënduar edhe dyndjet e mëdha të qytetarëve nga Komuna të tjera që një pjesë e tyre është në këtë kategori”, ka thënë drejtori Hajrullahu.
Gjithashtu edhe sa i përket kujdesit në shëntetin publik, është duke u bërë punë e vëllimshme në dhënien e shërbimeve në shëntetin publik dhe mbështetjen apo rekomandimin për në Ministrinë e Shëndetësisë.
“DSHMS, është angazhuar në baza ditore në kujdesin e shëndetit publik, përmes shërbimeve të mira në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore. Nga skema për subvencionimin e personave me probleme shëndetësore, familjarëve ose të afërmëve të tyre, që lidhet me nevojën e mjekimit dhe trajtimit shëndetesor të tyre për vitin 2015, janë parashtruar dhe shqyrtuar 641 kerkesa, ndërsa janë referuar për Ministri të Shëndetësisë mbi 100 kërkesa. Sa i përket shërbimeve shëndetësore, QKMF dhe QMF-të janë duke dhënë shërbime cilësore në shëndetin primar gjatë 24 orëve dhe e falënderoj gjithë stafin shëndetësor për përkushtimin e tyre profesional. Gjithashtu edhe korrelacioni me Ministrinë e Shëndetësisë ka rezultuar me një përmirësim të dukshëm të furnizimit me barna të listës esenciale dhe materiale të tjera medicinale”, tha ai duke theksuar se është dhënë mbështetje e fuqishme për kategori të ndryshme të qytetarëve që kanë probleme shëndetësore.
Hajrullahu tha se deri në këtë periudhë, mbi 160 mijë shërbime shëndetësore kanë marrë qytetarët, që përfshinë kontrollat e ndryshme shëndetësore dhe stomatologjike, sikurse edhe referimet.
“Kështu gjatë kësaj periudhe janë shpërndarë mbi 4500 vaksina për të rritur dhe 50 për fëmijë, ndërsa me insulina në baza mujore shërbehen 860 pacientë, nga 5 lloje të insulinave, që në total arrin numrin e 2700 insulinave deri në këtë periudhë. Por, në forma të tjera subvencionet për barna kapin vlerën mbi 45 mijë euro, si dhe për Shoqatat me Nevoja të Veçanta, si HANDIKOS, Shoqata e të Verbërve, Shoqata e Shurdhmemecëve, PEMA, OVL-UÇK e të tjera, përmes Memorandumeve të Mirëkuptimit, përfitojnë subvencione në vlerë afër 30 mijë euro”, tha ai ndër të tjerash.
Drejtori i Shëndetësisë, ka thënë se edhe inspeksioni sanitar është duke qëndruar në shërbim të qytetarëve përmes shërbimeve që kryen, sikur që edhe është duke monitoruar dhe kontrolluar në aspektin higjeno – sanitar edhe afarizmin tregtar, ushqimor dhe hotelier në përgjithësi në Gjilan.
“Janë vizituar 45 institucione private shëndetësore dhe janë leshuar 36 aktvendime mbi pëlqimin sanitar për funksionimin e këtyre institucioneve. Poashtu janë inspektuar mbi 150 subjekte të ndryshme, ku janë hartuar 96 procesverbale. Inspekori sanitar është duke zhvilluar kontrolle edhe në zbatim të ligjit të duhanit”, tha Hajrullahu, duke apeluar që të kenë kujdes të gjithë ata që thejnë ligjin se mund të gjobiten nga inspektorët tanë.
Drejtori Hajrullahu ka falënderuar edhe Policinë e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që 24 orë të bëhet mbykëqyrja në terren e inspektorëve.
Ai ka potencuar edhe përkrahjen financiare për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK dhe UÇPMB-së, nga 130 euro mujore, në vlerë mbi 20 mijë euro vjetore./2L ONLINE/
