Hajrullahu: Mbi 100 familje kanë përfituar nga fondi për banim social
/2L ONLINE/ – Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale, Nexhat Hajrullahu, i shoqëruar nga drejtori i QKMF-së, Fejzulla Berisha dhe drejtori i QPS-së, Mursel Zymberi, në një konferencë për mediak, ka bërë prezantimin e punëve që janë bërë në këtë fushë të gjërë Brenda këtij viti.
“Falë mbështetjes së kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, dhe stafit në përgjithësi, është arritur që të bëhen punë që janë direkt në shërbim të qytetarëve tanë. Asistenca sociale dhe mbështetja e familjeve gjilanase ka qenë në nivelin më të lartë, në kuadër të mundësive financiare që kishim, sikur që edhe bashkëpunimi me shumë donatorë është në nivelin më të lartë të mundshëm”, ka thënë drejtori Hajrullahu.
“Është bërë ndërtimi i 24 shtëpive për familjet pa kulm mbi kokë për këtë vit, meremetimi i 40 shtëpive dhe pagesa e qerasë mujore për 35 familje, që padyshim tregon përkushtimin e madh të Komunës së Gjilanit, ndaj familjeve në nevojë, por ende ka shumë raste të cilat presin ndihmën e solidaritetit dhe kjo është edhe një thirrje për vazhdim të mëtejm të ndihmës për këto raste të rënda”, ka potencuar ai.
Hajrullahu ka thënë se nga shërbimet sociale dhe familjare kanë përfituar mbi 630 familje, sikur që në skemën sociale në Gjilan janë gjithsej 1088 familje me 4507 anëtarë, që në vlerë financiare këto dy kategori kanë marrë mbi 50 mijë euro.
Ai ka thënë se në nivelin primarë të shëndetësisë është vazhduar me punë dhe shërbime shëndetësore nga stafi profesionist që është në QKMF dhe QMF.
“Në nivelin primar shëndetësor, gjatë këtij viti janë dhënë shërbime cilësore në shëndetësi. Poashtu edhe investimet në infrastrukturën shëndetësore kanë vazhduar me renovime dhe mirëmbajtje të hapësirës ekzistuese ambulantore. Për këtë periudhë kohore janë shpërndar 4500 vaksina për të rriturit dhe 50 për fëmijë, sikur që edhe me insulina shërbehen 860 pacientë në baza mujore, me nga 5 lloje të insulinave, që në total arrin numrin e 2700 insulinave”, ka thënë në elaborimin e tij drejtori Hajrullahu, duke shtuar se vizita të regjistruara në Qendrat e Mjekësisë Familjare deri më tani janë afër 230 mijë pacientë, që janë kryesisht vizita stomatologjike, ingjeksione, shërbime laboratorike, infuzione, vizita shtëpiake dhe rreth 15% janë referime.
Hajrullahu ka potencuar se në investimet kapitale në sektorin e shëndetësisë janë kryer punë në vlerë prej 80 mijë euro.
Poashtu, ai ka bërë të ditur se janë kryer edhe renovime të QMF-ve, furnizime me aparaturë, kompletim të shërbimeve dhe ngritje të cilësisë në përgjithësi në sektorin primar shëndetësor.
Gjithashtu ai ka potencuar edhe punën e madhe që është duke u bërë në sektorin e inspeksionit sanitar përmes kontrollave të vazhdueshme, por edhe kontrollimin e rregullt të cilësisë së ujit të pijes për qytetarë. /2L ONLINE/
