Guvernatorja e shtetit të Iowas, Kim Reynolds, takoi Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, me qëllim të forcimit të lidhjeve ekonomike, eksplorimin e mundësive për investime dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet Iowa dhe Kosova.
Guvernatorja Reynolds u angazhua në diskutime konstruktive me përfaqësuesit e Odës Amerikane, duke prezantuar aspektet ekonomike të Iowas, veçanërisht në sektorët e prodhimit të përparuar, bujqësisë dhe teknologjisë. Guvernatori Reynolds theksoi përkushtimin e Iowas ndaj inovacionit, fuqisë punëtore të kualifikuar dhe mjedisit miqësor ndaj biznesit që drejton suksesin e saj ekonomik.
Arian Zeka, drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, foli për rëndësinë e vizitës së Guvernatores Reynolds si për Kosovën ashtu edhe për Iowan. Ai theksoi angazhimin e përbashkët për nxitjen e rritjes ekonomike, forcimin e partneriteteve dhe nxitjen e bashkëpunimit. “Derisa shënojmë dhjetëvjetorin e partneritetit shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Iowas, kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë. Është një rast për kremtim, por edhe reflektim për të arriturat tona të deritanishme”, tha Zeka. Ai theksoi më tej mundësinë për diskutime të frytshme mbi rrugët e reja të bashkëpunimit, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe fushat ekonomike me përfitim reciprok.
Gjatë diskutimeve, Guvernatorja Reynolds përsëriti angazhimin e saj për të rritur shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira ndërmjet Iowas dhe Kosovës. Ajo pranoi potencialin e konsiderueshëm për tregti dhe investimet dypalëshe, duke shprehur besimin në përfitimet reciproke që do të dalin nga bashkëpunimi i mëtejshëm. “Ky ka qenë një udhëtim i shpejtë, por i mrekullueshëm në Kosovë. Jam e nderuar që jam këtu sot dhe do të vazhdoj partneritetin tonë edhe për 10 vite të tjera. Ne duhet të zgjerojmë marrëdhëniet tona me Kosovën. Iowa krenohet me një fuqi punëtore të kualifikuar dhe renditet e treta në vend. Ne kemi ulur katër herë tatimet dhe vazhdimisht kërkojmë mundësi për të mbështetur qytetarët tanë tatimpagues. Kjo ka qenë arritja jonë në katër vitet e fundit”, tha guvernatori Reynolds.
Arianit Fazliu, anëtar i bordit të Odës Amerikane, prezantoi një raport për Kosovën, duke theksuar arsyet e investimit në vend. Ai tha se Oda Amerikane është një komunitet dinamik I biznesit që bashkon kompanitë amerikane dhe kosovare, duke promovuar një peizazh të gjallë ekonomik. Ai theksoi popullatën e re, sistemin e përballueshëm të taksave, kostot e ulëta operative, sektorin e sigurt bankar dhe mjedisin e favorshëm të biznesit si arsyet kyçe për të investuar në Kosovë.
Vizita e Guvernatores Reynolds në Kosovë dhe takimi me Odën Amerikane forcoi përkushtimin e të dyja palëve për forcimin e partneriteteve ekonomike. Ky dialog produktiv do t’i hapë rrugën rritjes së flukseve tregtare, ndarjes së njohurive dhe mundësive për investime ndërmjet Iowas dhe Kosovës. /2LONLINE/