Ndoshta nuk mund ta kishte imagjinuar Pep Guardiola se Bayerni i tij do të kualifikohej në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë, duke shënuar plot 5 herë në portën e Hamburgut, një sukses që për teknikun spanjoll mund të konsiderohet shumë special. Mandzukiç me tripletë, por edhe Dante e Robben ishin motori i këtij suksesi të pabesueshëm të bavarezëve, të cilët vazhdojnë marshimin të vendosur drejt mbrojtjes së titullit në Kupë.
“Jam shumë i lumtur me performancën e skuadrës, luajtëm shumë mirë. Eshtë hera e parë për mua që jam pjesë e Kupës së Gjermanisë dhe kam dëgjuar nga shumë njerëz se është shumë e bukur atmosfera në finalen e Berlinit. Tani jemi vetëm një hap larg. Eshtë diçka tepër e veçantë për mua. Në fillim të ndeshjes me Hamburgun patëm disa probleme, por gjërat u thjeshtuan me golin e dytë të Dantes”.
Në gjysmëfinale, bavarezët do të presin në Allianz Arena surprizën me emrin Kaiserslautern, që eliminoi Leverkusenin minimalisht 1-0 pas 120 minutash lojë, ndërsa në takimin tjetër, Dortmundi do të përballet me Wolfsburgun.