GSHKB-Lindje marrin pjesë në “Udhen e Kryqit”
/2L ONLINE/ – Qytetarë të Kosovës së bashku me qindra ushtare nga Grupi Shumëkombësh i Betejës Lindje u takuan në fillim të kodrës Stubllavaqa ne fshatin Stubëll, dhe me kryqe në duar të gatshëm për ngjitje 10 kilometërshe gjatë Udhës së Kryqit, më 22 Mars.
‘Udha e Kryqit’ është traditë vjetore në fenë Katolike dhe zakonisht mbahet në fund të Krezhmeve. Udha është e përbërë nga 14 ndalesa, ku secila përkujton një ngjarje të veçantë nga rrugëtimi i Jezu Krishtit deri në kryqëzimin e tij.
Cdo ndalesë për gjatë kodrës ka një faltore të dedikuar një ngjarjeje, ku shumë njerëz ndaleshin tek secila faltore për një moment meditimi dhe lutje.
Don Albert Jakaj, prift i famullise së Shën Jozefit në Stubëll, kishte koordinuar organizimin që përfshinte edhe ushtarët e KFOR-it, për vitin e dytë me radhë. Jakaj kishte ftuar kapelanët nga pesë vende të ndryshme – Austria, Hungaria, Italia, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – që të merrnin pjesë në Udhën e Kryqit dhe në meshë.
Pas meshës, Jakaj falënderoj Nënkolonelin nga Ushtria Amerikane Petër Jaramillo, kapelan udhëheqës për GSHKB-Lindje, dhe ushtarët për pjesëmarrje.
“Sot ishte një ditë e shkëlqyeshme dhe me të vërtetë jam e lumtur që ndava kohë për të qenë këtu,” tha rreshterja Aimee Filbeck, rreshtere udhëheqëse e Njësitit për Deminim dhe Kontroll të Mjeteve të Pashpërthyera për GSHKB-Lindje. “Kam dëshiruar që të shoh më shumë në Kosovë. Dhe jam e lumtur sepse natyra është e bukur dhe njerëzit janë mahnitës.”
“Jam shumë i lumtur për pjesëmarrjen e njerëzve tanë dhe shpresoj se të gjithë kanë marr me veti një kujtim të fuqishëm të besimit,” tha Jaramillo. “Për mua ishte kënaqësi që për këtë sezon të Krezhmeve të jem pjesë e një përjetimi shpirtëror dhe jam falënderues si dhe i bekuar.”
‘Udha e Kryqit’ mbahet pak para festës së Pashkëve, që në këtë vit do të jenë më 4 Prill. /2L ONLINE/
