Grupi Punues monitoron zbatimin e Rregullores për Menaxhimin e Lëndëve përmes SMIL-it në Prokurorinë Themelore në Gjilan
Grupi Punues për monitorimin e vazhdueshëm të zbatimit të Rregullores Nr. 08/2026 për Menaxhimin e Lëndëve përmes Sistemit Elektronik (SMIL) në sistemin prokurorial, i udhëhequr nga prokurori Armend Hamiti, realizoi një vizitë zyrtare në Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Qëllimi i vizitës ishte monitorimi i zbatimit të kësaj rregulloreje, vlerësimi i funksionimit dhe përdorimit të SMIL-it, si dhe identifikimi i sfidave dhe vështirësive eventuale gjatë zbatimit të tij në praktikë.
Gjatë takimeve me përfaqësuesit e kësaj prokurorie, Grupi Punues shqyrtoi mënyrën e zbatimit të dispozitave të rregullores, funksionalitetin e sistemit dhe proceset e punës, me fokus të veçantë në evidentimin e mangësive dhe identifikimin e nevojave për përmirësime të mëtejme.
Në këtë kuadër, Grupi Punues synon të mbledhë informata dhe të ofrojë rekomandime konkrete për avancimin e funksionalitetit të SMIL-it, zbatimin sa më efektiv të rregullores dhe rritjen e efikasitetit në menaxhimin e lëndëve prokuroriale.
Grupi Punues do të vazhdojë vizitat monitoruese edhe në prokuroritë e tjera të vendit, me qëllim të sigurimit të zbatimit të njëtrajtshëm dhe efektiv të Rregullores Nr. 08/2026 në të gjithë sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës. /2LONLINE/
