“Gratë të kenë vullnet dhe të jenë më të guximshme për të synuar poste drejtuese”
/2L ONLINE/ – Përfaqësimi i gruas në pushtetin lokal në Kosovë konsiderohet mjaft i kufizuar. Në nivelin lokal, ku gratë pohojnë se kanë shumë për të ofruar në aspektin e zgjedhjes së problemeve, përfaqësimi i tyre është i vogël dhe nga 37 komuna sa ka Kosova është vetëm një kryetare komune, e bazë të kësaj, grave pretendohet se u janë besuar shumë pak poste udhëheqëse në qeveritë komunale.
Mirëpo për pozitën në të cilën gjendet femra në Komunën e Gjilanit sa i përket përfaqësimit në institucione, Valentina Bunjaku-Rexhepi, Kryesuese e Kuvendit komunal të Gjilanit, i bënë fajtore vetë femrat të cilave sipas saj u mungon vullneti për të marrë përgjegjësi institucionale.
Bunjaku-Rexhepi, thekson se pavarësisht faktit që gratë gjilanase njihen me më së shumti profesionalizëm në punë, ato nuk ndërmarrin asgjë për të përmirësuar më shumë gjendjen në nivelin lokal dhe kjo dëshmohet me faktin se në Gjilan nga njëmbëdhjetë drejtori sa ka gjithsej kjo Komunë, asnjë grua nuk udhëheq postin e drejtoreshës.
‘’Femrat gjilanase dinë të udhëheqin, të drejtojë ose menaxhojë një post të rëndësishëm. Në Gjilan kemi femra intelektuale ajo është profesioniste e lëmisë përkatëse ani pse në Gjilan nuk kemi asnjë femër drejtoreshë të ndonjë drejtorie por mendoj se ky është vullneti i tyre dhe jo vullnet jo i mirë i Kryetarit Haziri, por ato kanë ikë nga përgjegjësitë institucionale’,’ tha Bunjaku-Rexhepi për 2L ONLINE.
Kryesuesja Bunjaku-Rexhepi, thotë se është kundër kuotës prej 30% sepse sipas saj kuota prej 30 % e pjesëmarrjes së femrës në jetën politike të Kosovës, megjithatë duket më tepër si një shifër dekorative, sesa një kusht që rrit pjesëmarrjen e grave në politikë.
“Kategorikisht gjithmonë kam qenë kundër kësaj. Femra duke filluar nga familja e shoqëria duhet dhe janë të barabarta me meshkujt e kuota neve nuk na është dashtë sepse femrat duhet të luftojnë me tërë fuqinë e vetë dhe nuk duhet të kërkojë lëmoshë nga kuota sepse kuota prej 30% e zbehë fuqinë e saj”, tha Bunjaku-Rexhepi.
Ajo tutje tha se pavarësisht ankesave nga ana e grave për mos përfaqësim të drejtë, ende Komuna e Gjilanit nuk ka pranuar ndonjë kërkesë konkrete nga një grua për të udhëheq ndonjë post institucional siç është posti i drejtoreshës në ndonjë drejtori. Bunjaku-Rexhepi theksoi se femrat gjilanase duhet të jenë më të guximshme dhe të kenë vullnetin e plotë për të udhëheq një dikaster sepse as komuna nuk mund të jep ndonjë post sikur dhuratë e as kuota prej 30% nuk mund ti shtyj me forcë femrat për të marrë përgjegjësi të tilla. Me këtë rast ajo mendon se dy gjinitë duhet bëjnë një kthesë të veçantë duke lidhur programe në mënyrë demokratike, ku gratë duhet të jenë po aq aktive sa dhe burrat në vendimmarrje, e procese të tjera të rëndësishme. /Edona JERLIU/
