Arrestimi i deputeteve në Kuvendin e Kosovës, tregon nivelin e presionit nga ana e pozitës për të shtypur fjalën e lirë të njerëzve që kanë marrë legjitimitet nga ana e votuesve. Për ne, si gra aktiviste të subjekteve opozitare, një presion i dyfishtë është prangosja e deputeteve Shqipe Pantina, Donika Kadaj Bujupi, Teutë Haxhiu dhe Besa Baftiu, me urdhër direkt nga Qeveria. Si të mos mjaftonte diskriminimi gjinor që rrjedh nga disproporcioni i përfaqësimit të gruas në Qeveri e në të gjitha nivelet e punësimit e të angazhimit, sot u ballafaquam edhe me brutalitetin e truprojave, të cilët as që duhet të ishin aty në atë sallë, thuhet në reagimin e bërë nga Gratë e Opozitës së Bashkuar .
Për më shumë, keqtrajtimi dhe përplasja e deputetes Albulena Haxhiu në pllaka të mermerit, na la të kuptojmë se kjo Qeveri që bën kompriomise me trupin e Kosovës, nuk e ka problem të sulmojë fizikisht edhe gratë e burrat që mendojnë e veprojnë në mbrojtje të vendit tonë. Pas lëndimit të saj, znj. Haxhiu u shqetësua edhe në ambientet klinike ku ende po mjekohet. Po ashtu, media proqeveritare kanë nisur të shpifin për të në mënyrën më të ulët të mundshme. Në rast se pritshmëritë e Qeverisë patriarkale janë për heshtjen e përjashtimin e grave deputete, dhe përgjithësisht të opozitës në Kuvend, duke manifestuar ndaj nesh me forcën trupore të policisë, atëherë ky sistem është duke e dhënë shembullin më të keq ndaj gjithë popullsisë sonë.
Arrestimi i deputeteve, dhe sulmi brutal ndaj deputetes Haxhiu, nuk është shqetësimi i vetëm që na lind prej zhvillimeve të sotme, por ne dëshirojmë ta ngremë në mënyrë të veçantë këtë shqetësim specifik. Dëshirojmë të përcjellim tek publiku qëndrimin tonë, se këto metoda shtypëse nuk do të na zmbrapsin si gra, si opozitare, si pjesëtare të barabarta të kësaj shoqërie, që nuk do të lejojmë të trajtohemi pabarazisht prej askujt, as ne si individë, as ne si gjini, e as ne si Kosovë. Projektet të cilat i mbron kjo qeveri janë projekte të pabarazisë. Kjo Qeveri përveç që po na dëmton në sovranitet e në të gjitha sferat sociale, së fundi po shton edhe sulmet fizike ndaj grave deputete e ndaj gjithë opozitës, thuhet n ëfund të reagimit të bërë nga Gratë e Opozitës së Bashkuar.