(2LONLINE) – Grupi i Grave të Gjilanit ka diskutuar të hënën në Gjilan me Grupin e Grave Deputete të Parlamentit të Kosovës, çështje që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, përfaqësimin e femrave në pushtetin ekzekutiv, ligjin e punës dhe zbatimin e tij, sidomos në sektorin privat, buxhetimin gjinor, disa probleme të veçanta në arsim si dhe çështje të tjera.
Gratë deputete, Suzan Novobërdali, Lirije Kajtazi, Salihe Mustafa dhe të tjera thanë se kërkesat e Grave të Gjilanit do të përcillen si rekomandime në nivel qendror të pushtetit, përkatësisht në Komisionet Parlamentare.
Valentina Rexhepi-Bunjaku, kryesuese e Kuvendit Komunal në Gjilan, tha se femrat në këtë Komunë, vazhdimisht po fitojnë hapësira përfaqësimi, duke nënvizuar faktin se në vendimmarrje, ato kanë mbi 38 për qind të vendeve, kryesojnë tri komitete, derisa në ekzekutiv, numri i tyre nuk është ende i mjaftueshëm, por me siguri se do të rritet në të ardhmen, kur të ndahet në tre sektorë Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Ajo tha se personalisht ka qenë dhe mbetet një lobuese e fuqishme e të drejtave të grave, si në vendimmarrje dhe ekzekutiv, ashtu edhe në politikë-bërje.
Drita Klaiqi, zyrtare për Barazi Gjinore, tha se barazia gjinore nuk është dhuratë e burrave për gratë, por është një e drejtë ligjore. Mimoza Shkodra (PDK) ka thënë se gruaja shqiptare është një heroinë e vërtetë, sepse ka ditur të durojë burra të vegjël dhe ka pasur aftësi të lind burra të mëdhenj.
Kurse Saranda Bllaca (LDK) e ka ngritur shqetësimin e saj mbi disa çështje arsimore, siç është Udhëzimi Administrativ për masat disiplinore, që ka mjaft zbrazëtira, shuarja e klasave të 13-ta, që vetëm në Gjilan lë pa punë deri në 70 mësimdhënës, në mesin e të cilëve ka edhe femra, emërtimin e shkollave, që si kompetencë duhet t`i bartet Komunës dhe jo të në duart e MASHT-it dhe të tjera.
Besa Baftiu (VV) tha se gratë e punësuara në sektorin privat, janë të diskriminuara, sepse nuk u lejohet pushimi javor, nuk u njihet pushimi mjekësor dhe as nuk u respektohen të drejtat tjera që njeh Ligji i Punës.
Sadete Trnava (OSBE) tha se gratë duhet të jenë më aktive, sikurse edhe bashkëpunimi mes tyre duhet të jetë më i madh, nëse duan t`i avancojnë të drejtat e tyre edhe më tepër. Ajo tha se Gjilanit i mungon rregullorja për barazi gjinore dhe i inkurajoi gratë që ta bëjnë edhe atë.
Suzan Novobërdali ka premtuar se të gjitha këto kërkesa të GGGJ do të përcillen në nivelin qendror. Edhe ajo u pajtua se ligi i punës ka probleme jo vetëm te pushimi i lehonisë, por edhe në disa pika tjera.
Kontributet e tyre i kanë dhënë edhe deputetët Lirije Kajtazi e Salihe Mustafa si dhe anëtarët e GGGJ, Shpresa Kurteshi, Ajtene Shahiqi, Mizafere Ismajli, Mevlide Zenjnullahu, pastaj Afërdita Syla dhe të tjera. /2lonline/