(2L ONLINE) – Qendra Rajonale e OSBE-së në Gjilan organizoi takimin nikoqir me qellim të shkëmbimit të përvojave dhe shembujve më të mirë të Grupeve të Grave të Gjilanit për grupet e grave nga komunat e rajonit të Mitrovicës.
Tema kryesore e takimit kishte të bënte me avokimin dhe lobimin për përmirësimin e pjesëmarrjes kuptimplote të grave dhe përfaqësimit të tyre në qeverinë lokale dhe institucionet e tjera publike.
Pjesëmarrëset diskutuan tema të ndryshme, duke përfshirë avokimin për mirëqenien e grave kryefamiljare, barazinë gjinore neper komitetet dhe komisionet komunale, buxhetimin e përgjegjshëm gjinor si dhe nën-tema të tjera në lidhje me pjesëmarrjen e grave në jetën publike e politike.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku, në fjalën e saj inkurajoi gratë që të jenë këmbëngulëse në arritjen e qëllimeve për ngritjen e pozitës së gruas, duke thënë se përkundër pengesave, nëse punohet suksesi nuk mungon. Fjalime me shembuj konkret të arritjeve mbajtën edhe Arta Tahiri nga Ferizaj, Ibadete Hyseni nga Vitia, si dhe zoti Naser Hashani nga Kamenica i cili në cilësinë e zyrtarit kryesor financiar paraqiti të arriturat e komunës së Kamenicës sa i përket buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.
Ky takim është vazhdim i aktiviteteve të OSBE-së në përpjekjet për të ndërtuar kapacitetet dhe për të ofruar mbështetje Grupeve të Grave përmes informimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira ndërmjet tyre. Takimi mblodhi gjithsej 35 përfaqësuese nga Mitrovica dhe Gjilani. /2L ONLINE/