(Sabit Rrustemi “Grafite nënlëkurore”, poezi, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Prishtinë, 2015)
Rrahim SADIKU
/2L ONLINE/ – Jeta dhe krijuesi bashkërendisin pikëtakimet e pikëndarjet, sepse kështu ndodh në vrojtimet e mendjes krijuese e këtë nuk e mohon dot as ajo që ndodh në realitet. Prandaj: “Secili e kemi nga një dritë shpirti/ thellësive të qenies/ për të ecur udhën që nuk e shohim”, na thot poeti Sabit Rrustemi.
Megjithatë, jeta e shndërruar në frymëzim e simbol ishte, është dhe do të mbetet burimi i frymëzimeve të padukshme e shikim ndryshe i realiteteve të dukshme. Ndjejmë e mendojmë kështu kur hyjmë udhëtimit poetik me Sabitin, ku ndjehemi të dërguar përjetimeve, që vijnë e formësohen dukshëm imagjinatës krijuese dhe pastaj, të ngacmuara nga shpirti inspirues i muzave (edhe më të padukshme, që vigjëlojnë madhësitë dhe imtësitë brenda mendjes krijuese), na mundësojnë të bëhemi pjesë e ndijimeve, që na i kanë kthyer në vargje artistike.
Këto frymëzime derdhen si lumë pastaj, realitetit artistik e mendësisë së kohës, duke na i bërë të pazakonta edhe të zakonshmet; duke na bërë të shohim përtej të dukshmës dhe të ndjejmë atë që nuk do ta kishim ndjerë në rrethana të tjera.
“Grafitet nënlëkurore” nisin e shkruhen kështu brenda poetit, nën lëkurën e tij, për të ardhur te ne si vertikale e si horizontale të krijimit mjeshtror. Na vijnë si të zakonshme e si të pazakonshme,njëkohësisht. Këto të zakonshme, që na dalin edhe si tejet të pazakonta, ashtu të shndërruara në art, i kemi të pranishme kudo në këtë vepër “, ku e madhërishmja bëhet monumentale, përmes peshës së fjalës poetike, peshë kjo që ka dukjen e një margaritari, i cili sa herë shikohet nga ne, na e jep një reflektim të ri, të bukur e më të bukur, po gjithnjë duke na e ngulitur bindjen se kemi parë shumë pak, nga ato përthyerje të panumërta e mahnitëse dritash, të cilat na mahnisin duke dalë nga thellësia. Kjo vazhdimësi ndijimi e përjetimi na shtyn të kemi dilemë: është më i rëndësishëm për krijimin teksti apo nënteksti poetik?
Dhe Sabiti, duke e kultivuar tekstin e thënieve të shkurtëra e të brendisë që zgjatet, pra duke i patur edhe tekstin e edhe nëntekstin në harmoni të plotë, i ka që të dyja këto shumë të pranishme e shumë të fuqishme. Me këtë bashkëjetesë të plotë të tekstit e nëntekstit në poezinë e tij, ai sikur na e zgjidh këtë dilemë, duke na thënë se krijimi i mirëfilltë na bëhet pjesërisht i dukshëm nga teksti e pasurinë e vërtetë e ka të padukshme, thellësive.
Poezia e Sabit Rrustemit, ashtu si e kemi në këtë përmbledhje, po edhe në përmbledhjet tjera të tij, ka kryesisht shtrim vetanak të frymëzimit, të vargut, të figuracionit dhe te ne, vjen edhe si begati gjuhësore. Ajo është pasqyrim i përvojës jetësore që ka autori, i njohjes së thellësisë së shpirtit njerëzor, i ballafaqimit të vazhdueshëm me botën, me të mirat dhe ligësitë e saj dhe i aftësisë për frenimin e momenteve jashtëpoetike që e rrethojnë e ngacmojnë, kështu që në vargjet e tij ka një qetësi të mahnitshme prej urtari; përmes tyre reflekton një shpirt i madh, i mbushur dashuri e humanitet; pa sforcim na e jep modelin e të mirës e të bukurës; pa na u imponuar me këshilla e me fjalë bombastike.
Ai na këshillon poetikisht e thellësisht: “Asnjë fjalë më të bukur se ajo buzëqeshje/ nuk ndesha kund”. Dhe, derisa është kaq i thjeshtë e kaq i prajtë kur bëhet fjalë për veten e tij, me ata që prishin të bukurën, që shkelin njerëzoren dhe që imponohen pa asnjë meritë, tregohet shumë i ashpër, sarkastik dhe sfidues dhe ua hap sytë e mbyllur nga lakmia, urrejta, zilia e narcisizmi: “Puthadorët puthiten si munden/ vetëm a kanë ku/ për t’i vënë buzët”.
Duke mos e dashur njeriun të xhveshur nga njerëzorja, duke besuar se shpirti njerëzor nuk mund të lakuriqësohet i gjithi nga ndijimi e besimi në ardhmëri, Sabiti gjithnjë e gjen rrugën për “deri tek ajo zemër prej luleje”, ku fisnikërojnë bukuria e brishtësia, duke shkuar gjithnjë tutje e më tutje, duke e ndjerë se “ai mal fjalësh pas po më ndjek”. Ky “mal fjalësh” është shpirti poetik, brenda shpirtit të poetit dhe ai gjithnjë shndërrohet në kërkim, në etje për të shkuar tutje, për të parë botën me sy prej imagjinate e me zemër shpresëdhënëse.
Dhe fjala është ajo bota e frymëzimit, tek e cila na shpie poeti, ku ne mësojmë se ajo vjen qëndrueshëm brenda tij, duke madhëruar laboratorin e mendjes, ku nis e merr formë e bukura “ende pa ndodhur”, sepse ai e pohon që nuk kënaqet me të rëndomtën e me vogëlsirat që bëhen edhe më të padukshme në trajtim të kohës. Ai pastaj na shpaloset thjeshtë, me pohimin se “heshtja nuk është ushqimi im i preferuar”; na tregon se nuk i pëlqen të jetë i mbështjellë “me fjalë të akullta” as i mbetur “në një skaj jete”, po se veten e ndjen vete vetëm kur është në vrullin e krijimit.
Dhe e ka treguar me vepër këtë, pasi tashti e sa dekada me radhë është duke e jetuar, përjetuar e krijuar, për vete e për lexuesit, këtë botë madhështie, duke bashkuar kohë e duke anashkaluar dukuri e ndodhi, për të arritur qenësoret, të madhërishmet dhe të artat burime frymëzimi.
Burimet e frymëzimit i ndërlidhen me botën e meditimit, e cila na shpie më tej, te drita e përjetshme, larg territ të natës e terreve njerëzore, ku “nga zanafilla e këndej nisemi”,”pa farë çmimi a kushtëzimi”, për të arritur “shtatë palë qiej”, nga ku krijohet mundësia për të mësuar “nëse kjo botë është e rrejshme/ përnjëmend” e nëse vërtet na del ashtu, atëherë: “në këtë fillim vere/ na shpëtoftë gjelbrimi”.
Pra, shpirti poetik gjen rrugën midis mundësisë e pamundësisë, aty ku kemi një spektër ndërtimesh, figurative e jetësore, nga i cili aspekti poetik fiton peshë e aspekti real mbushet me dritësim të ri. Kjo pastaj vjen si trokitje në mendje e gjakim në shpirt.
Dhe si e atillë futet në bota e imagjinatës, e cila te Sabit Rrustemi është specifike. Specifike për bashkëngjitje me të mundshmën e realen dhe e veçantë për shpalime të reja dukjesh, dukurish, etjesh. Kjo botë magjie e tragjike lidhet me mitin dhe sikur kërkon demitizim nga ajo peshë e padurueshme: “Ti s’je Urë e Shejtë as Rozafat/ po ke një emër të pafat”. Miti nuk dorëzohet, pasi “mesnata ndërron ditët”, edhe pse “hap zemrën këtë portë shpirti”, “aty ku një dashuri të pashkulur kam mbjellë”, “duke pritur një tjetër ditë”.
Nis e shkon kështu loja imagjinative e realiteti artistik, pa anashkaluar të shenjtën mendje e të madhërishmen zemër, tek të cilat ngjizet, rritet dhe pastaj hidhet, që të vihet në përballje me botën poezia, me plot të pathëna brenda vetes: “Po e mbledh kohën e ikur/ përmes të tashmes/ që s’mjafton”.
E gjitha kjo që thamë deri tashti na drejton për te i madhërishmi Çepur, që nga poeti na vjen si simbol fëmijërie, si ushqyes kujtimesh e si stacion ku pushon malli e si toponim ku shtohet etja për të pambërritshmen e ku ujitet shpresa: “Çepurin e mbulon/ lëkura ime prej dheu/ dhe ato gjethe/ që ia la vjeshta”.
Kështu, takohemi me metaforën vjeshtë e cila bashkë me poetin sikur ndjejnë dhembje për vitet e ikura e dhembjet kurrë të harruara, sepse “në kohën që vjen/ jam aty/ ku s’u takuam kurrë” dhe duke rrëfyer se “Tregtar i mire hiç nuk jam/ asnjë vuajtje a dhembje a pritje/ nuk ma blen kush”.
Libri “Grafite nënlëkurore”, si del nga këto që thamë e edhe më shumë nga ato që nuk i kemi thënë, sepse atëherë do të na duhej ta përimtësonim secilin varg e ndoshta secilën fjalë, vjen si përmbledhje plot vlera artistike, plot risi ndërtimi e plot këndvështrime subjektive (që ne i ndjejmë dhe i përjetojmë edhe si shumë objektive) për njeriun e kësaj kohe, për të shkuarën e të ardhmen, parë nga aspekti krijues-imagjinativ; për paqëndrueshmërinë e kohës dhe njeriut brenda saj; për shpirtin si koncept abstrakt e për dhembjet shumë konkrete që e mundojnë e frymëzojnë atë.
Duke njohur zhvillimet moderne letrare, te ne e në botë, Sabit Rrustemi me plot besim ndjek hapin me to dhe nuk mbetet asnjëherë rob konceptesh teorike e rregullash strikte. Ai thyen vargun, me pak fjalë ngjeshë mendimin, që të jetë sa më shpërthyes kur zbërthehet; kërkon fjalë me efekt të atypëratyshëm, gërsheton përditshmërinë me imagjinatën, mitin me realitetin dhe kështu vazhdon “me gjuhë duke lëruar”, për të mbetur në mendjet tona me lirizmin e rrallë e me dritën e njerëzores që ka ngulitur kudo në vlerat artistike të librit. /2L ONLINE/