DYLON

Grafisti, Rasim Vllasaliu prezantohet sukseshëm para artdashësve me ekspozitën personale “Restrospektivë”

Grafisti, Rasim Vllasaliu prezantohet sukseshëm para artdashësve me ekspozitën personale “Restrospektivë”
Avatar photo Redaksia

Në Galerinë e Artit Pamor të Gjilanit është hapur ekspozita personale “Retrospektivë” e grafistit, Rasim Vllasaliu.

Pjesëmarrësit në këtë ngjarje kulturore, artistë dhe artdashës të artit pamor, e të tjerë janë përshëndetur nga Kushtrim Zeqiri, Drejtor Komunal i Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport në Gjilan.

EkoHigjiena

Drejtori Zeqiri duke folur për ngjarjen në fjalë, ndër tjera tha: “ Për ne është kënaqësi të kemi një eskpozitë të degës së grafikës, si kjo! Kjo për faktin se është degë e ndërlikuar e artit për ta realizuar. Dhe ekspozitat e tilla rrallë, për të mos thënë asnjëherë më parë, nuk janë realizuar në galerinë tonë”.

Kreu i kësaj Drejtorie e ka falenderuar autorin në emër të Komunës së Gjilanit për ekspozitën e tij të mrekullueshme.

Ndërkaq nga konferencieri i kësaj ngjarje është lexuar teksti vlerësues i Jeton Rexhepit, meqë, nuk ishte i pranishëm në këtë ngjarje.

“Krijimtaria artistike në grafikën origjinale të autorit, Rasim Vllasaliu është e bazuar në imazhet e vendlindjes, nga përpjekja maksimale e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, ambientet që na rrethojnë dhe tradita kombëtare, që në mënyrë kreative shpërfaq vlerat e shquara nga krijimtaria e mirëfilltë pamore.

Grafisti si proces teknik dhe artistik gjatë punës së vazhdueshme me përkushtim të lartë ka arritur për të shpërfaqur dhe transmetuar imazhet e tij përmes shenjave, sinjaleve dhe simboleve, ka nënvizuar Rexhepi.

Sipas tij është thënë se grafiku gjatë punës së tij kreative idenë e determinon me temë dhe përmbajtje të caktuar. Atëherë, grafika krijohet si korelacion i kohës nga arti tradicional në raport me artin bashkëkohor.

Rexhepi ka thënë se në grafikat e Rasim Vllasaliut vërehet mjeshtria e nuancave tonale, vija, sipërfaqja, struktura dhe ritmi në përgjithësi.

Nga ana tjetët, Avni Behluli tha se në këtë ekspozitë retrospektive shquhen imazhe nga vendlindja, trolli ku jeton, mjetet e punës, trashëgimia kulturore duke u shërbyer me pamje nga e kaluara në inkorporim të të sotmes.

Ai tha se arti i Rasim Vllasaliut gërshetohet me strukturë, forma vizuele bashkëkohore, por gjithnjë duke e ruajtur traditën.

Kurse, Musë Prelvukaj ndër tjera tha: ”Rasimi në këtë ekspozitë retrospektive ecë nëpër kohë duke përdorur të gjitha teknikat, që do të thotë se autori është universal në krijimtarinë e tij artistike”

Duke vlerësuar të arriturat e autorit, Prelvukaj theksoi të dhënën se veprat e Rasimit veçohen, sepse janë origjinale, e nuk janë imitime. Janë krijime që burojnë nga thellësia kreative e shpirtit të tij.

E, Zejnullah Zejnullahu kujtoi fjalët e profesor Fatmir Krypa, i cili i kishte thenë Rasimit se kishte ndjenjë për grafikën.

Sipas tij, profesori i nderuar Fatmir Krypa e kishte quajtur autorin e kësaj ekspozite edhe si perspektiva grafike e Kosovës.

“Rasimi nuk ngatërrohet me të tjerët, i perfeksionon ngjyrat në teknikën e akuatintës dhe në bakërshkrim e drugdhendjes”, tha Zejnullahu.

Në përmbyllje të ngjarjes, autori Rasim Vllasaliu ka falënderuar pjesëmarrësit në këtë ekspozitë, e pastaj tha se gjithë punën e tij të deritanishme e ka realizuar ndër vite me përkushtim dhe vullnet të lartë. Ekspozita mbetet e hapur deri më 3 tetor. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.