Është pikërisht 30 Marsi, ditëlindja e 65- të e Prof. Rasim Vllasaliut, e cila ditë shënon edhe pensionimin e tij në rolin e mësimdhënësit të lëndës së Grafikës, në Shkollën e Mesme të Lartë të Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan. Shkollë kjo e cila funsionon në objektin e Gjimnazit Shoqëror ” Zenel Hajdini” në Gjilan.
Shkruan: Magbule Xhemaili
U lind më 30.03.1954 në Artanë. Shkollën fillore dhe shkollën Normale i kreu në Gjilan, Fakultetin e Arteve/drejtimi i Grafikës e përfundoi në Prishtinë në vitin 1980 në klasën e profesorit Fatmir Krypa. Karrierën e tij prej mësimdhënësi e kishte filluar në Shkollën Fillore “ Liria” në Artanë vitet 1974/1975. Për të vazhduar për dhjetë vite të tjera në Industrinë e Tekstilit “INTEGJ” në Gjilan me konkretisht në sektorin e prodhimit të tepihëve ”Taftison” në rolin e dizanerit të tepihëve. Një periudhën pesë vjeçare punoi në N.T.P ”Tropikal”- në rolin e Dizajner të reklamave. Në KFOR-in Amerikan punoi si dekorues dhe skulptor i akullit për një vit. Nga viti 2001 deri 2014 punoi në Shkollën e Mesme “Arbëria”. Si një nga bashkëthemeluesit e Shkollës së Mesme të Lartë të Arteve Pamore ”Adem Kastrati” që nga viti 2014 deri më 30.03.2019.
Me rasin e 7 marsit – DITA E MËSUESIT, në mesin e disa mësimdhënësve të tjerë Kryetari i Komunës z. Lutfi Haziri ndau Mirënjohje për z. Rasim Vllasaliu Në nderim të kontributit madhor në misionin fisnik të mësuesit në ruajtjen dhe ngritjen e shkollës shqipe, e në veçanti edukimin e shumë brezave me parimet më të mira të dijes dhe atdhedashurisë.
Në CV-në e Profesorit Rasim Vllasaliut, lexohet përvoja rreth 21 vjeçare në punën edukativo- arsimore, angazhime të shumta jashtmësimore në punën me nxënës në drejtim të rritjes praktike të aftësive të nxënësve, në drejtim të kreativitetit në artet pamore.
Unë pata rastin të punoja për dy vite në të njejtën shkollë dhe kjo më mundësoi ta njihja më afër profesorin Rasim, i cili në rend të parë, ishte punëtor profesionist dhe i përkushtuar në mbajtjen e procesit edukativo- arsimor; i saktë në përgaditjen e orëve mësimore, mbarëvajtjen dhe nxjerrjen e rezultateve më të mira nga nxënësit. Ai shquhet për bashkëpunëtorë dhe kolegë i mirë, unifikues me të gjithë kolegët tjerë në shkollë, veçanërisht për bashkëpunim konstruktiv me strukturat drejtuese të shkollës në të gjitha drejtimet, me qëllim avansimi të dijes e suksesit të nxënësve.
Në këtë drejtim, me kënaqësi theksoj rolin e Prof. Rasim Vllasaliut , e cili si mësimdhënës i lëndës së Grafikës, jo vetëm bartë barrën e organizimeve kulturore për nder të festave kombëtare a ndërkombëtare, po njëkohësisht dëshmon përkushtim për punë me nxënësit e Shkollës së Mesme të Lartë të Arteve pamore “ Adem Kastrati” dhe përpjekje për hapje rrugësh në vazhdimin e rritës së tyre arsimore e profesionale.
Prof. Rasim shquhet për butësinë në komunikim, modest, principiel, gjithmonë në afërsi të kolegëve e nxënësve që mund të kenë çfarëdo nevoje a ndihme, në rrafsh profesional, organizativ a humanitar. I dashur me nxënësit dhe gjithnjë i përgjegjshëm. Ai është model i mësimdhënësit, organizatorit të mirë të punës, profesionistit dhe njeriut të afërt për bashkëpunim e marrje të përgjegjësive si edhe kryerjes me përkushtim të tyre.
Gjatë punës së tij të pavarur në krijimtari artistike Vllasaliu shquhet me pjesëmarrje në ekspozita me nivel kombëtar e ndërkombëtar si përfaqësues i artistëve gjilanas dhe kosovar, dhe përfundimisht edhe e nderuar me shumë çmime në këtë fushë, disa nga vendet ku ka ekspozuar punënij janë e : Frankfurt, Luxemburg, Pulë, Novisad, Bjellovar, Beograd, Preshevë, Mlladenovac, Tuzla, Prishtinë, Gjilan.
Çmimet dhe Shpërblimet:
– 1980 Shpërblimi i Akademisë së Arteve për Grafikë – Prishtinë
– 1982 Ekspozita e Krijuesve Jugosllav /Shpërblimi për Grafikë.
– 1983 Takimet XV Shoqërore Novisad/ Shpërblimi nga krijimtaria Artistike për Grafikë
– 1984 Ekspozita e pavarur në galerinë e Shoqatës Kulturore “Punëtori”/Çmimi blerës
– 1992 Ekspozita “Flaka e Janarit”/ Shpërblimi për Grafikë.
– 2014 Ekspozita “Salloni i Gjilanit”/ Shpërblimi për Grafikë.
– 2016 Ekspozita “Flaka e Janarit” / Çmimi Blerës për Grafikë.
–
Bashkëbunime të ndryshme:
– Bashkëpunëtorë në disa gazeta dhe revista periodike që botoheshin në Kosovë.
– Ilustrator për revistave dhe librave të autorëve të ndryshëm.
– Redaktor teknik dhe artistik në gazetën e punëtorëve ”Integj” dhe në revistën e e parë në gjuhën shqipe ”Horizonti”.
– Bashkëthemelues i Shoqatës së Enigmatëve të Kosovës.
– Bashkëthemelues i Shoqatës së Pavarur Kulturore në Gjilan dhe manifestimit kulturor “ Flaka e Janarit”.
– Kryetar i shoqatës së Artistëve të Artit Pamor në Gjilan gjatë periudhës 1990-1995 .
– Bashkëinicues për themelimin e drejtimeve të reja të lëndëve profesionale në kuader të Sh.M.B.”Arbëria”.
– Bashëthemelus i kursit profesional të Artit Pamor.
– Bashkëpjesëmarrës për hartimin e planprogrameve të reja të rishikuara në kuadër të MASHT- it.
Disa projekte të rëndësishme që janë realizuar në bashkëpunim.
– Projekti: “Piktura me rërë” udhëhequr nga artisti i njohur amerikan: Esem Safi dhe kordinatorja amerikane me origjinë nga Kosova znj.Besime Kallaba, projekt ky që zgjati një muaj.
– Bashkëpunëtorë i filmit të shkurtër të realizuar nga nxënësit, i organizuar nga MASHT-ti, njëhërit ky u shpall filmi më i mirë në Kosovë.
– Projekti Ndërkomëtar ” Ta mbrojmë ambientin” në bashkëpunim dhe përkrahur nga “Fondacioni Ibrahim Kodra”. Pjesëmarrje e punimeve të nxënësve të Shkollës së Artit” Adem Kastrati” dhe të disa shkollave të tjera nga Gjilani në disa nga galeritë e njohura evropiane.
– Realizimi i muralit 100m², në bashkëpunim me nxënës në murin ballor të ish Sh.M.B ” Arbëria”, mural i cili nuk egziston më.
Profesori Rasim thot se: ” hapja e Shkollës së Mesme të Lartë e Artit Pamor “Adem Kastrati” ka qenë ndoshta projekti më i rëndësishëm në komunën e Gjilanit. Disa nga nxënësit që ka nxjerrur kjo shkollë tani janë në majat më të larta të krijimtarisë së tyre në arenën kombëtare e ndërkombëtare. Kjo shkollë në të ardhmen do të jetë një institucion i rëndësishëm për zhvillimin dhe avansimin e artit të mirëfilltë. Nxënësit e kësaj shkolle do të aplikojnë në ekonominë e tregut të punës, në biznes dhe në vetëpunësim. E rëndësishme është që shkolla e artit të kalojë sa me parë në objektin e saj që eshtë në përfundim e sipër, për shkak të përmirësimit cilësisë së mësimit, zhvillimit të mirëfilltë të lëndëve praktike.”
Të shpresojme edhe në që në një të ardhme shumë të afërt do të funsionalizohet objekti i përbashkët i Shkollë së Arteve.
Them me shumë përgjegjësi që ishin me fat ata nxënës që e patën mësimdhënës profesorin Rasim, ata vërtet kanë mundur të shohin modelin më të mirë të një mësimdhënësi të fushës së arteve.
Kolegët dhe nxënësit do ta ndjejnë shumë mungesën e tij. Ishte “shtylla e shpisë” e kësaj shkolle në cilësinë e prindit thënë figurativisht.
Duke i dëshiruar shëndet të mirë sikur deri më tani, vital, i qetë, i buzëqeshur dhe vazhdimësi në i krijimtari artistike, duke shpresuar në bashkëpunime të tjera me kolegët e shkollës së Arteve.
Prof. Rasim Vllasaliu urime pensionimi, jëtë të gjatë pranë më të dashurve të tu.
/Autorja është Prof. lëndës së Artit Figurativ në Gjimnazin”Xhavit Ahmeti” dhe në Gjimnazin “Zenel Hajdini”/