Gradualisht e keni humbur besimin te qytetarët!
SHEFIK SHKODRA
/2L ONLINE/ – Si është duke shkuar qeverisja e këtij vendi, vështirë është të besohet në diçka serioze nga këta persona që janë në vende të para institucionale. Sepse, fare nuk kanë qenë as nuk janë përgjegjës para qytetarëve. Nuk ka pasur dhe nuk ka transparencë para qytetarëve. Flasin në mënyrë jo argumentuese. Çdo gjë është bërë si të rrahurat e darabukut e sikur nuk kanë kuptim tingujt e tij në opinionin publik. Si duket edhe një pjesë e qytetarëve kanë fituar bindjen se, Qeveria nuk është për t’i rregulluar punët e shtetit dhe të qytetarëve të vet, por anasjelltas. Si do tregtarë të shpifur të para pesë-gjashtëdhjetë vjeçe; i dëgjon duke thënë se, vetë populli punon dhe orientohet për çdo gjë. Të mjerët! Kaq dinë, kaq flasin. Ose, më mirë të themi, kur ndonjëri e mbush barkun, mendon se të gjithë janë si ai, dhe me plaçkën ditore nga qytetarët, me ndonjë artikull të domosdoshëm arrihet pasuri. Kësaj i thonë punë me vetiniciativë qytetare. Po, iniciativë po, por qeveria i ka të gjitha rregullat në dorë me ligje në praktikë. Me ndihmesa në investime, në lehtësimin dhe në mos ngarkesë në tatime, etj. Qeveria është aparat sinkronizues në veprimtaritë e jetës shoqërore. Po kur kështu mendon ndonjë bakall, atëherë kompanitë që po rriten me ekstra profit edhe më ashpër e mbivlerësojnë atë farë “vetiniciative”, e bashkë me ta edhe qeveritarët e zyrtarët e shtetit të Kosovës, të cilët i kanë përfitimet e tyre.
Kështu e mendojnë veten ekspertë për të gjitha
U zgjodh Ministër i Arsimit E. Hoxhaj, menduam se do të veprojë diç më ndryshe se ata që ishin deri atëherë. I dha shumë premtime, deri te digjitalizimi i të gjitha shkollave në Kosovë. U ndërtuan shumë shkolla, por që të gjitha me mangësi, pa sallë të edukatës fizike. U zgjodh Ministër i Shëndetësisë, Agani, menduam se ky njeriu nuk do të shkoj pas të keqes. Ishte edhe shef i PD (Partia e Drejtësisë) nëse nuk gaboj. Jo. Atij i dolën edhe shumë keqpërdorime. Në vend se të përgjigjet për aktet jo të mira, ai zgjidhet ministër në resorin tjetër. Edhe Hajredin Kuçi ishte një kuadër i mirë, në Ministrinë e Drejtësisë, por nuk e tregoi veten dhe nuk pati një transparencë të duhur, etj. E pra, kështu janë edhe ekspertët rreth tyre në lëmenj të ndryshëm. Madje, ata e mendojnë veten me strategji diplomatike para botës e para popullit. Dhe ata sikur janë shtylla kryesore se, në këtë vend nuk ka përveç tyre njerëz ekspertë. Edhe në politikën e jashtme kështu po veprohet. Na kujtohen bisedat “8 me 2” në Vjenë e deri te rezultati i autonomisë serbe në Kosovë, në mos edhe më tepër se kaq…sigurisht, po qe se aprovohet kjo marrëveshje, do të kushtojë me suspendimin e shtetit të Kosovës.
Vërtet të gjithë qenkan të lidhur me krimin dhe korrupsionin
Kot mundohesh t’ia mbulosh një diçka të keqe dikujt, kur ajo shihet para botës. Me gjithë ngarkesën e presionin, shumë të dobët jeni në radhë të parë si kuadro politike. Nuk keni njohuri për asgjë. Nuk keni dashuri për vend dhe popull! Thonë, “mos e vetë se të kallxon vetë.” Njëmend qenkan të gjithë të lidhur zinxhir, qe nga Qeveria, Kuvendi e deri te gjykatat komunale e nëpunësit e shkallës më të ulët. Në qoftë se nuk mund të kryhen disa punë me rëndësi shtetërore nga presioni dhe dizajnimi i të huajve, atëherë, si mund të arsyetoheni me një politikë të brendshme që po udhëhiqet. Pse nuk jemi të hapët para popullit. Asgjë nuk ka qenë në favor të qytetarëve shqiptarë deri më tash. Ligji askund nuk funksionon. Korrupsioni gjithnjë e më i hovshëm me kriminalitetin. Çdo ditë si dhelpra bie dikush në kurth: “U zu ky e kjo (gjykatës, prokuror, zyrtar tjetër) për keqpërdorimin e vendit të punës, për ryshfetin, për veprat tjera në lidhje me krimin e organizuar. Pas disa orëve, ditëve, ata i lirojnë kolegët e tyre. Sigurisht, këta kolegë në bashkëpunim me ta, por edhe me përbërës të bërthamës institucionale qendrore. I paskan zënë djemtë e I. M. (kryeministrit) për një tender të vogël (na ke befasuar z. Isë! Kemi menduar, pavarësisht të kaluarës se, je njeri akademik, i stërvitur në politikë e ekonomi, por s’doli ky paramendim). Mirë thotë Isa, këto janë para shumë të pakta (2.900). Atij i duhen më shumë. I duhen qindra mijëra, miliona. Të themi të drejtën dhe duhet të pranohet, s’është hera e parë se ka ndodhur ky farë tenderi i “vogël” me djemtë e kryeministrit. Ka edhe raste edhe më të mëdha me të tjerët. “Syri pehlivan”, a…? si thotë ajo fjala popullore: të pangopur kurrë. Çudi me ta.
Askush nuk e ka menduar një ekonomi të planifikuar
Asnjë sektor qeveritar nuk ka mbetur pa u keqpërdor. Asnjë ditë nuk shkon pa ndonjë aferë. Bëhet njëra e, për ta heshtur të parën zyrtarët e planifikojnë dhe e prodhojnë një tjetër më ndryshe. Gjithnjë në mënyrë serike. Punë nuk ka për qytetarët. As me shati. As me “kalem”. Të gjitha ndërmarrjet, pasuritë dhe vendet e punës iu shitën qytetarëve. Ata mbetën rrugëve me familje pa bukë e pa një jetë të sigurt. Kush i mori ndërmarrjet dhe për sa para? Çka mund të bëhet pa punë? Edhe qytetarët po edukohen si qeveritarët dhe zyrtarët tanë: të vjedhin diçka, të plaçkitin çka munden prej kujt munden; të vrasin me para e për para (njerëzit ndihen të pasigurt). Ndonjë shitblerje të lëndëve narkotike, ndonjë shit-blerje të femrave, e të tjera punë të liga. Dhe çështja më e ndërlikuar ka mbetur, kurrë e pa sqaruar sa duhet para opinionit të qytetarëve, shkatërrimi i ekonomisë me tenderët. Askush nuk thotë se, ekonomia duhet të jetë e planifikuar si në socializëm, por edhe të hidhen njerëzit në rrugë për kaq kohë pa ndonjë ndryshim në të mirë të tyre dhe pa u mërzit fare, kjo është më shumë se krim. Shqiptarët për shqiptarë janë përgjegjës. Qysh ka thënë ai rilindësi i jonë: “Armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë janë (vetë) shqiptarët!”
Anarkia e zë vendin e ligjit
Ka aq shumë mungesa ligji (moszbatimi i tij) sa për një dokument që duhet ta nxjerrësh, nuk e di çfarë të drejte ke. Ose, duke filluar nga jeta e përditshme, bie fjala, askush s’e kontrollon më sektorin tregtar. Çdo ditë shitësit i ngritin çmimet, krejt sipas dëshirës. Sa më shumë të shfrytëzohet qytetari. Nëpër disa shitore artikujt nuk kanë çmime. Brenda dy muaj ditësh tri, katër herë janë ngritur çmimet e disa artikujve, kryesisht ata ushqimorë, por edhe duhani. Si mendoni që kjo veprimtari të mos ketë kurrfarë kontrolli? Prej një shitore te tjetra shihen ndryshimet. Kur i pyet pse kështu, një artikull me dy-tri çmime, për dy hapa vend, ata të përgjigjen, “në këto ditë do të ngritin çmimet”. Kush i ngrit çmimet, si? Nuk shpjegohet si duhet opinionit publik për atë TVSH-n. Klientët nuk e kanë të qartë, është në favor të tyre apo jo. Çmimet nuk janë zbritur. Ajo që është blerë para një muaj për një euro bie fjala, tash është dy. Pastaj, çfarë prodhimesh të artikujve ushqimorë kemi për nga cilësia. Madje nëse ka raste të gjesh artikuj me afat të skaduar, edhe po ta paraqitësh, s’ka kurrfarë efekti . A ka materie të rrezikshme në artikuj ushqimorë, sepse s’kemi më besë që prej kur kemi dëgjuar se, na shërbehemi me miell të kafshëve. Krejt kjo për interesa të kompanisë dhe të ndonjë a më shumë zyrtarëve shtetërorë – partive ndoshta (kështu është thënë nga media-t), askush nuk e ka demantuar këtë farë gomarie. Ne qytetarët kemi menduar një kohë se është gënjeshtër e propagandë ekonomike-tregtare. Por doli se nuk ishte veç propagandë. Kujt duhet t’i besohet në këtë shtet? Kush mund ta thyej forcën e kësaj anarkie. A ka ligje edhe për këtë çështje? Si duket qeveritarëve nuk i intereson kjo punë. Atyre u duket me interes një lidhje e brendshme me oligarkë dhe një lidhje e jashtme si servilë, për t’i thanë miletit: ‘Hej, na nuk frikësohemi, se jemi me Washington dhe Bruksel! Dhe bëjmë çka thotë Washingtoni e Brukseli.” Bravo! “Hallall” ju qoftë përsheshi që ua ka dhënë nëna në fëmijëri!…Ju jeni qeveritarët më me eksperiencë e më të aftë në këtë rruzull toke! Për një arsye të vetme, pak ironike: Para se ta rehatoni këtë milet, ju e rehatoni veten, familjarët, pak më larg klanin dhe militantët partiak.
S’ ka racionalizim të mjeteve buxhetore
Ndoshta pak po ndahen mjete për Mallra dhe Shërbime. Të themi se, Qeveria pak vetura ka, qysh ka thënë kryeministri, njëmijë. Si e mora vesh 200 të prishura. Duhen edhe nja njëmijë të tjera të blihen. Pizhimuzhat nuk mund të ecin në këmbë. Po ku shkojnë këto njëmijë vetura çdo ditë? Ndoshta duhet të mendohet edhe për familjarët dhe farefisin, që të shërbehen sipas nevojës. Vetëm një stacion policie sa vetura ka për ta rrethuar një qytet. Edhe ligjet po shihet se i keni bërë në favor të juaj. Edhe për të ardhmen e juaj me pensionime të veçanta dhe me shumë privilegje tjera. E si është duke shkuar puna, jo që do të kemi sukses së shpejti, por është drojë se do të futemi në një kaos qytetar e në falimentim. Ju me siguri këtë e dini se kështu thotë dikush, e kanë “kurdis” të tjerët për ne, ndoshta ne për vetveten. Punë e madhe, nuk çani kokën, kur nuk mjaftojnë mjete në këtë resor, i marrim atje ku ka, do të thotë, një departament mbetet pa mjetet e destinuara buxhetore për të, nga shkaku se janë bartur për dikë dhe diçka tjetër. Lëshim pas lëshimi para vendeve dhe miqve që ju fajësojnë. Pra, qytetarët nuk janë fajtorë.
Ju rrini të qetë e mos e prishni “imazhin!”
Nëse nuk ka ekonomi të planifikuar dhe s’ka, atëherë askush nuk mund të bëhet më Marshall Tita as Enver Hoxha. Ju keni bërë kompromis politik e ekonomik në dëm të popullit shqiptar. Ju e mbroni korrupsionin dhe krimin. Ju i heshtni gjykatat dhe ata vijojnë me keqpërdorime. Ju ua kanë tërheq vërejtjen me raporte nga vendet evropiane për të gjitha ngecjet dhe keqpërdorimet. Ju e keni prish imazhin e Kosovës, ose nga iniciativa e juaj. Për këtë qytetarët tanë nuk kanë mundësi të marrin rrugën nëpër shtetet e Shengenit. E çfarë mendoni se, mund ta gëzoni pasurinë e juaj pa qytetarët e Kosovës? Kush i beson kësaj mënyre jetese në rehati. Fundi është me përgjegjësi sigurisht. Shumë mirë e dini vetë ju, e di edhe populli, se disa nga ministrat e zyrtarët nuk mund ta kalojnë kufirin e disa vendeve evropiane, as si qytetar i rëndomtë. E di secili për vete përse. Pra, shkaku i juaj në institucione (i ndonjërit) është që ky popull nuk kanë perspektivë si qytetarët e vendeve tjera. /2L ONLINE/
