Skuadra kampione në fuqi e Ligës së Kampionëve, Bayern Munich do të ketë punë të vështirë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi do të përballet me Real Madridin, në rrugën drejt Lisbonës ky synon që ta mbrojë trofeun e fituar një vit më parë në Londër.
Një çift të tillë në shortin e Nionit e tërhoqi legjenda portugeze, Luis Figo. Ndeshjen e parë bavarezët do ta luajnë në Madrid, derisa atë të kthimit e cila do të jetë vendimtare do ta zhvillojnë para tifozëve të vet në “Allianz Arena”. Ndërkohë në gjysmëfinalen tjetër do të ballafaqohen Atletico Madrid dhe Chelsea.
Ndeshjet e para gjysmëfinale zhvillohen më 22 e 23 prill, kurse ato të kthimit më 29 e 30 prill, derisa finalja e madhe më 24 maj në Lisbonë.