Me dallime të mëdha sa i përket strukturës së drejtësisë në veri, pala kosovare dhe ajo serbe do të zhvillojnë një rund negociatash më 13 dhjetor, shkruan sot “Koha Ditore”.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës janë zotuar se nuk do të lejojnë një gjykatë tjetër themelore në veri. Me ligjet aktuale ekzistojnë vetëm shtatë gjykata themelore, ndërkaq mund të ketë vetëm degë nëpër komuna të reja.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë për “Kohën Ditore” se “Do të jetë vetëm një gjykatë themelore, një ligj i aplikueshëm në Kosovë dhe hierarkia e emërimit do të bëhet nga niveli qendror, respektivisht presidentja e Republikës së Kosovës”.
Në anën tjetër, zyrtarë të Beogradit kanë bërë të ditur se nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre për një gjykatë të veçantë në veri.
Ndërkaq Brukseli, si garantues i dialogut pret nga palët që çështjet e hapura sa i përket implementimit të marrëveshjes të përfundojnë deri në fund të javës tjetër, kur më 17 dhjetor Catherine Ashton prezanton raportin me të arriturat në dialog para shteteve anëtare